E Shtunë, 31 Tetor 2026

Al Sadd synon të mposhtë Barcelonën

Kampioni i Azisë, Al Sadd do të takohet me Barcelonën në gjysmëfinale të Kampionatit botëror të klubeve, përballje e “ëndrrave” për trajnerin e skuadrës nga Katari, i cili beson se mund të fitojë.

Al Sadd mposhti Esperancen e Tunizisë 2-1 të dielën dhe siguroi përballjen me Barcelonën në gjysmëfinale. Askush nuk do t’i jep gjasa skuadrës nga Doha kundër gjigantit katalan që erdhi në Japoni e freskët nga fitorja 3-1 në udhëtim ndaj rivalit Real Madrid në La Liga, e që konsiderohet njëra prej skuadrave më të mira në histori të futbollit.

Por, trajneri i Al Sadd, Jorge Fossati, mendon ndryshe. “Nëse mund të kemi 15 ose 16 futbollistë në fushë, mund të kemi shanse të mira”, tha ai në shaka, i pyetur nga AFP nëse skuadra e tij mund të mposhtë kampionin e Evropës të enjten.

“Një kompani e veshmbathjeve sportive thotë se ‘asgjë nuk është e pamundur’ dhe dua të besoj në këtë. Sigurisht se Barcelona është më e mira në botë, jemi të vetëdijshëm, sidomos pas takimit kundër Real Madridit. Por, së fundmi Getafe në Spanjë fitoi ndaj Barcelonës 1-0. Tingëllon e palogjikshme dhe e pamundur. Ky është çelësi. Por, përderisa jemi modestë dhe shfaqim shpirt të fuqishëm, ne mendojmë se mund të fitojmë”, u shpreh ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›