Artisti që ia pa hairin Facebook-ut

Artisti i grafiteve, i cili mori aksione në Facebook në vend të parave për lyerjen e mureve të zyrave të para qendrore të rrjetit social, bëri një bast të mençur. Aksionet e artistit David Choe pritet të arrijnë vlerën e 200 milionë dollarëve kur aksionet e Facebook të dalin në shitje publikisht në fund të këtij viti.
Kompania e rrjetit social më herët e ka bërë të ditur ofertën publike pesë miliardë dollarësh, e cila pritet ta vlerësojë tërë kompaninë me shumën prej 75 miliardë deri në 100 miliardë dollarë. Në fund të fundit, kjo ofertë do të stampojë shumë milionerë dhe miliarderë.
Pagesa për artistin grafik David Choe mund të sjellë më shumë të holla për pikturat e tij sesa Sotheby-s kishte tërhequr për veprën artistike të Damien Hirst, e cila kishte thyer rekord të shitjes në ankandin e vitit 2008, duke u shitur për 200.7 milionë dollarë.
Në vitin 2005, Choe ishte ftuar të pikturojë murale në muret e zyrave të para të Facebook-ut në Palo Alto, California, nga Sean Parker, atëherë president i Facebook-ut.
Si formë të pagesës, Parker i kishte ofruar artistit Choe një zgjedhje ndërmjet parave (disa mijëra dollarë), siç tregojnë disa njerëz që e njohin Choe, apo aksione në kompaninë atëherë të porsathemeluar, të cilat kapnin vlerën pothuajse të njëjtë.
Choe, i cili ka thënë se në atë kohë kishte menduar se idea e Favebook-ut ishte ‘qesharake dhe e pakuptimtë’, megjithatë i kishte zgjedhur aksionet.
Shumë ‘këshilltarë’ të kompanisë në atë kohë, siç është klasifikuar edhe Choe, do të mund të merrnin rreth 0.1 deri në 0.25 përqind të kompanisë, sipas një ish nëpunësi në Facebook. Kjo mund të tingëllojë si një shumë e pavlerë, por aksione të tilla arrijnë shumën prej qindra milionë dollarësh, bazuar në vlerën e tregut prej 100 miliardë dollarësh. Paga e këtij artisti është vlerësuar rreth 200 milionë dollarë, bazuar në atë çfarë thonë disa njerëz që e njohin Z. Choe dhe udhëheqësit e Facebook-ut.
Megjithëse Choe fillimisht kishte pasur një jetë të vështirë, përfshirë arrestimet e herëpashershme, ai është i pasur madje edhe pa ofertën e Facebook. (Nuk është e qartë nëse ka shitur ndonjë pjesë të aksioneve të Facebook-ut në tregje sekondare). Tani një artist shumë i suksesshëm me paraqitje nëpër galeri dhe vepra të ekspozuar në muzetë kryesorë, Choe nuk i ka pranuar kërkesat për t’u intervistuar për këtë artikull; ai dëshironte të ruante privatësinë e tij. Megjithatë, ai ka botuar një libër me punime të tij, të titulluar ‘David Choe’, në të cilin janë përfshirë edhe imazhet e muraleve multimilionë dollarësh në Facebook.
Faqja e Z. Choe në Facebook tregon jetën e një artisti renegat të ditëve moderne. Në mesin e imazheve të grafiteve të tij, ekziston një vazhdë e imazheve të tij duke bërë piknik me një grua të veshur pamjaftueshëm dhe duke harxhuar një shumë të madhe të parave në alkool. Javët e fundit, Choe ka promovuar fotografi të një shisheje alkooli në vlerë prej 40 mijë dollarësh; një fotografi e vetme, është mburrur ai, kushton 888 dollarë.
Ai ofron këshilla jetësore në librin e tij “Always double down on 11. Always.”
Ndoshta këshilla më e mirë është të marrësh aksione, jo para, nga braktisësit e Harvard-it në Silicon Valley.