Artmedia e Bratisllavës, në Champions me 1.5 milionë euro

Bledar KUKA - Më 2005, kampionia e re sllovake, Artmedia Petrzhalka e Bratisllavës ishte një skuadër thuajse krejtësisht modeste. Ëndrrat ishin të mëdha para se ata të dilnin në fushë për ndeshjen e parë të turit të parë të Ligës së Kampionëve në Almati të Kazakistanit ndaj Kairatit vendas. Futbollistët dhe trajneri Vladimir Vajs e kishin të freskët në mendje kujtimin e FC Koshices që më 1997 arriti në fazën e grupeve të Championsit dhe kjo i nxiste të mendonin “kushedi”.
Por paratë në arkë, si buxhet sezonal ishin vetëm 1.3 milionë euro, jo shumë më tepër, p.sh. se Tirana shqiptare e sezoneve të fundit, ndërsa stadiumi ishte jashtë kritereve të kërkuara nga UEFA. Ata lojtarë që ishin në prag të mrekullisë fitonin nja 20 000 euro në sezon, 32 000 dollarë të asaj kohe, para që mund t’i fitosh sot edhe tek Laçi në Shqipëri, po t’i besosh medias. Ndërsa menaxheri Kaspar thotë: “Lojtarët tanë nuk janë të shtrenjtë, madje as për standardet sllovake, por ne kemi një grup të mirë që luan në mënyrë kolektive, si një trajner shumë të zotin”.
Bredharakët, apo ndryshe turistët, e ardhur nga Britania e Madhe, e cilësuan ambientin jashtë stadiumit “Petrzhalka” si të fiksuar qysh në vitet 1920, aq i thjeshtë, modest dhe (mund të quhet) i prapambetur ishte. Vetë lagjia me të njëjtin emër (Petrzhalka) njihet si një nga zonat më pak të bukura dhe të shkreta të kryeqytetit të Sllovakisë, Bratisllavë. Banorët e Tiranës, por edhe të Berlinit Lindor mund ta kuptojnë shumë mirë imazhin nëse e quan të mbushur me pallate parafabrikate, aspak të këndshëm për syrin e njeriut. Socializmi ia la këtë dhuratë qytetit në vitet 70-të.
Klubi u ble që më 1993 nga një biznesmen i ri, ai lloj biznesmeni që lulëzoi sheshit në vendet e ish-bllokut socialist. Emri i tij është Ivan Kmotrik, njeri mediatik që zotëronte dy televizione, një biznes shtypshkrimi më të madhin në Sllovaki, agjencinë më të madhe shpërndarëse të shtypit dhe agjencinë më të madhe të reklamave.
“Tajmsi” i Londrës shkruan për një histori që vetë Kmotriku e tregon për veten e tij. “Një fqinj i imi më vodhi pjatën satelitore nga çatia dhe përfundoi me një vesh më pak”, është historia e bosit të ri. Një sllovake e kulturuar, Beata Balogova (38 vjeç), diplomuar në Fulbrajt, një program edukativ i financuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, tregon për këta bosë.
“Ne nuk kemi përvojë në shpërndarjen e pasurisë së shtetit komunist dhe ishte e pritshme që kjo shpërndarje do të bëhej keq, - thotë Balogova, kryeredaktore e “Sllovak Spektejtër” (The Slovak Spectator), - ishte periudha e “Perëndimit të Egër”, por tani ata (bosët) nuk po rrëmbejnë më njerëz dhe nuk po hedhin më në erë makina, ndaj le të vazhdojnë me restorantet dhe bizneset e tyre”.
Nuk dihet qartë nëse Kmotrikut është ndër bosët e tillë, por 15 vjetët e tij në krye të klubit e kanë vendosur Artmedian në shinat e qendrueshmërisë. Natyrisht, klubi ka një faqe normale interneti, një strukturë të thjeshtë, por të plotë me president, zëvendëspresident, drejtor teknik, menaxher të përgjithshëm, shef ekzekutiv, me 5 trajnerë në shtabin teknik dhe 6 pjesëtarë të shtabit mjekësor.
Si një shqiponjë me dy koka, Artmedia pati nevojë jo vetëm për një pronar të qendrueshëm, por edhe për një trajner të tillë dhe e gjeti tek Vladimir Vajsi, 4 vjet ndihmës (1996-2000) dhe më pas trajner i parë. Me Vajsin erdhi titulli i 2005-ës.
Atë ditë të 12 korrikut 2005, nga Almati i largët, Artmedia e panjohur u kthye me një humbje 0-2 dhe aventura u duk e mbyllur. Nuk ishte, në fakt, sepse më 19 korrik sllovakët e kthyen humbjen në kualifikim, me fitoren 4-1. Turi i dytë ishte një çmenduri dhe në stadiumin e Sllovakut në Bratisllavë zbriti Sëlltiku i madh i Gllazgout.
Në fund të 90-minutëshit skocezët e dinin se ishin të eliminuar. Ua tregonte humbja 0-5. Pavarësisht disfatës së rëndë në Skoci, 0-4, Artmedia kaloi përtej dhe u ndesh në turin e tretë eliminator me Partizanin e Beogradit. Dy herë 0-0 dhe fitore 4-3 me penallti, me një futboll krejtësisht mbrojtës që tifozët serbë i bëri t’i merrte malli për ndeshjet me Flamurtarin e Vlorës.
Në faqen e tifozëve, “partizan.net”, tifozët shkruan, një ditë pas këtij eleminimi: “Kishim menduar se një Flamurtari i dytë nuk do të ndodhte më kurrë, por kjo që ndodhi mbrëmë ishte pesë herë më keq. Humbja me Flamurtarin nuk mundet kurrsesi të krahasohet me këtë ndaj sllovakëve. Flamurtari luajti futboll, shënoi gola, pastaj futbolli është edhe punë fati.
Artmedia tregoi qendrueshmëri në Chanpions. Fitore 3-2 në Porto, dy herë 0-0 me Porton e Rejnxhërsat, 2-2 me Rejnxhërsat, veç nuk pati ç’ti bënte Interit të Milanos duke u mundur 0-1 e 0-4. Viti 2005-2006 nuk u përsërit më, por niveli mbeti i respektueshëm.
Nga 2001-shi, skuadra e lagjes popullore të Petrzhalkës ka luajtur 44 herë në eurokupat, duke fituar 12 e humbur 14 ndeshje, me golaverazhin krejt të pranueshëm 51-69 dhe me 11 ture kaluar në Champions e UEFA dhe një tur në Intertorto.
Kur mendon se klubi ynë më i mirë, Tirana, ka luajtur veç 22 herë në Europë nga 2001-shi me vetëm 6 fitore e 14 humbje dhe golat 24-37, habitesh vërtet. Dhe të krahasosh traditën mes një klubi dy herë kampion të Sllovakisë (2005, 2008) me atë 23 herë kampion të Shqipëri, një klubi që ka dalë në Europë më 1965 me një që ka dalë më 2001. Në fund të fundit, diferenca në buxhet ishte tepër e vogël.
Artmedia pati suksesin tek organizimi i saj dhe planet afatmesme dhe afatgjatë të klubit. Pronari thjesht krijoi klimën e besimit dhe lejoi specialistët që të punonin. Trajneri Vajs dhe strukturat e tjera krijuan klimë profesionale. Shpërblimi për Vajsin erdhi dy herë. Fillimisht më 2006 kur shkoi tek Saturni i Moskës në kategorinë e parë ruse, duke dalë i 5-ti më 2007 dhe tani, kur refuzoi ofertën e Hartsit të Midlotianit në Premier Ligën skoceze për t’u bërë trajner i kombëtares sllovake. Pas 4 ndeshjesh në eliminatoret e Botërorit 2010, Sllovakia është në vend të parë në grupin 3, me 9 pikë.
Tashmë, Artmedia ka mbetur edhe pa bosin e saj, sepse Kmotriku u largua. Pa të dhe pa Vajsin, pavarësisht se ka president bosin më të madh politik të Bratisllavës, Petrzhalka është në vend të tretë nga fundi në kampionatin sllovak, 22 pikë larg kreut. Ja pra, që një ngrehinë shembet edhe kur i hiqen vetëm dy kolona mbajtëse.
E Marte, 13 Janar 2009