E Diel, 1 Nëntor 2026

“Eksodi” për Antalia, pesë klube, 200 000 euro

Bledar KUKA – Pesë klube shqiptarë të futbollit janë nisur dje paradite për në Antalia të Turqisë, në një fazë përgatitore dyjavore. Tirana, Dinamo, Besa, Flamurtari dhe Apolonia i kanë hipur çarterëve drejt tokës turistike jugore, brigjeve të Mesdheut. Duke llogaritur se, sipas sekretarit të klubit bardheblu Ed Gjini, Tirana vjet shpenzoi deri 38 000 euro, besohet se shuma e përbashkët (duke mbetur në kuotat e 2008-ës) mund të arrijë afërsisht 200 000 euro.

Dinamo, Apolonia dhe Besa u ngjitën në të njëjtin çarter, siç duket me qëllimin për të ulur kostot, por kanë qenë blutë që kanë vënë veton për të mos qëndruar bashkë më tej. Burime nga blutë njoftuan se “Dinamo nuk donte të ishte në të njëjtin hotel me Besën dhe Apoloninë për të mos prishur qetësinë e skuadrës”. Fillimisht, faza përgatitore e Tiranës u rrezikua, gjithnjë sipas burimeve pranë klubit, sepse nga ana e bashkisë nuk ishte bërë gati fondi, veçse duket se ka ndërhyrë në momentin e fundit kryedonatori Halili për të siguruar shpenzimet.

Klubet e tjerë shqiptarë kanë preferuar destinacione më pak të kushtueshme, apo edhe nuk kanë lëvizur fare. Vllaznia u nis që fundjavën e kaluar për në Ulqin të Malit të Zi në hotelin “Olimpik” ku pritet të qëndrojë dy javë. Për në vendin fqinj veriperëndimor priten të udhëtojnë Shkumbini i Peqinit dhe Lushnja, kurse Elbasani, pavarësisht nga arrestimi i sponsorit Laze, ka planifikuar fazë përgatitore në Maqedoni.
Teuta e Durrësit nuk ia doli të realizonte fazë jashtë vendit. Planet e presidentit Hasanbelliu dhe trajnerit Sulejman Starova ishin për në Mal të Zi, por plani u prish dhe ekipi mbetet në Durrës. Po ashtu, nuk ka asnjë plan për lëvizje nga një emër i shquar i futbollit shqiptar, si Partizani, por edhe nga skuadra modeste e Bylisit të Ballshit.

E Marte, 13 Janar 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›