E Shtunë, 31 Tetor 2026

Artur Miler, sfida e një përkthyeseje

Një vështrim krahasues i veprës së Artur Milerit nga studiuesja Iris Klosi. Vështirësitë e përshtatjes së tekstit dhe titullit, censura dhe varfëria e gjuhës shqipe. Klosi: Citofoni, në anglisht button, në shqip është përkthyer kopsa


Dramaturgu amerikan, Artur Miler, është nga të paktët emra, vepra e të cilit, ndonëse kishte përplasje me ideologjinë komuniste, është ngjitur në skenën e teatrit shqiptar. Pikërisht gjatë periudhë së regjimit komunist, publiku shqiptar ka pasur mundësinë të shohë nga ky dramaturg "Death of a Salesman" (Vdekja e një komisioneri), "The Crucible" (Shtrigat e Salemit) dhe "A view from a brige".


Sigurisht që këtyre u është hequr "pjesa e panevojshme" dhe janë shfaqur sipas rregullave të kohës.


Por një ditë vepra do të bënte llogaritë me kohën. Studiuesja Iris Klosi bën një krahasim mes përkthimeve në shqip dhe në italisht të veprës "The Crucible". "Shtrigat e Salemit" në shqip dhe "Il crogiolo" në italisht.


Në shqip janë hequr më së shumti paragrafët që kishin ngjyrime fetare, ndërsa sipas studiueses, vepra në italisht është më e plotë.


Megjithatë, Klosi shton se, edhe pse "Shtrigat e Salemit" është reduktuar, mesazhi i Milerit ka ardhur i plotë tek publiku shqiptar. Sfida e një përkthyesi, sipas saj, nuk kufizohet vetëm tek teksti dhe titulli, pasi në përkthimin e një drame puna më e vështirë është përshtatja e lojës së fjalëve.


Duke ju referuar dy përkthimeve në shqip dhe italisht të "The Crucible", ajo shton se: "Një kulturë është ndryshe nga një tjetër, si e pranon një kulturë veprën nuk e pranon një tjetër".


Pedagogia e departamentit të anglishtes në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë, rrëfen për sfidat e një përkthyesi, vështirësitë e përkthimit të një drame dhe varfërinë e gjuhës shqipe.


Znj. Klosi, si ju lindi ideja për të bërë këtë krahasim në dy gjuhë të veprës "The Crucible", të Artur Milerit?


Unë kam përfunduar studimet britanike-amerikane në nivelin universitar, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Gjatë kohës që kam qenë studente jam marrë me përkthime letrare dhe interpretime të ndryshme, por jo në mënyrë profesionale. Pas përfundimit të studimeve, duke punuar me prof.


Viktor Ristanin, menduam që të realizoja këtë temë për studimet e niveli të masterit, me dramën "The crucible", të Arthur Milerit (1915 -2005). Në shqip, kjo vepër është përkthyer nga Enver Fico, me titullin "Shtrigat e Salemit" dhe në italisht ishte përkthyer në vitin 1957 nga Luchino Visconti dhe Gino Barti, me titullin "Il crogiolo".


Përse pjesë teatri dhe jo një roman?


Përkthimi dihet që është shumë i gjerë, prek shumë disiplina. Madje, ai, edhe brenda gjinive është i ndryshëm. Përkthimi i romanit është ndryshe nga ai i poezisë, dhe akoma më ndryshe nga përkthimi i dramës, sepse në dramë kemi dialogun.


Gjuha është shumë dinamike. Në roman mundësia dhe pasioni mund të shpalosen, mund të ketë edhe ndonjë mbipërkthim apo krijim fraze nga vetë përkthyesi. Mund të ketë më lirshmëri në mënyrën se si shprehet apo edhe se si heq pjesë përkthyesi.


Në dramë nuk ndodh, duhet ti përmbahesh tekstit. Është e vështirë të përkthesh lojën e fjalëve, si do e përçosh njësinë kulturore tek lexuesi, ose, më mirë të themi, te spektatori, sepse drama nuk mbetet thjesht në sirtar, ajo shkruhet për t'u vënë në skenë.


Ju keni krahasuar veprën në origjinal me përkthimet në shqip dhe në italisht. Cila nga këto versione e ka pasuruar veprën?


Tek përkthimi në italisht disa gjëra kanë mbetur në kuptimin e "commandments", atyre urdhëresave fetare që në shqip janë hequr, për vetë periudhën kur është përkthyer, rreth viteve 1975-76.


Në versionin shqiptar mungojnë shumë gjëra si, citimi, radhitja, që nuk gjenden, sepse ka qenë vetë sistemi në atë kohë që nuk e njihte fenë. Ka pasur paragrafë të tërë që janë hequr.

Çfarë humbjesh ka teksti nga njëra gjuhë në tjetrën?


Unë nuk e kam parë me këtë sy. Kur themi kritikë duket sikur censurojmë, sikur po përpiqemi të gjejmë gabimet.


Është shumë e vështirë të bësh përkthyesin. Duke pasur edhe vetë përvojën e një përkthyesi, mund të them që në përkthim gjithmonë humbet diçka nga gjuha burimore në gjuhën e përkthimit. Ideja është që aty të përçohet mesazhi. Gjëra të vogla humbasin.

Sa e vështirë është përshtatja e titullit?


Për shembull, te "Death of a Salesman", është problemi tek "Salesman", që është përkthyer komisioner. Çështja është, duhet komisioner apo tregtar. Përkthyesi Piro Misha i ka qëndruar konotacionit të kohës dhe e ka përkthyer komisioner. Ky përkthim qëndronte në kohën e realizmit socialist, qëndron edhe sot.


Edhe "Shtrigat e Salemit" qëndron, po t'i referohemi vënies në skenë në botë të veprës dhe filmit ku interpreton Daniel day Lewis dhe Winona Ryder. Kam parë variantin në spanjisht dhe titulli përkthehej afërsisht "Shtrigat e Salemit".


Nuk ka qenë "The crucible", i cili në fjalorin "Webster" dhe të "Oxfordit" ka dy kuptime kryesore: kazan i madh ku përzihen të gjithë magjitë, kazani i shtrigave, dhe sprova. Në fakt, është një sprovë për protagonistët dhe për John Proctor-in, i cili ka qenë personazh real, që ka jetuar në shekullin e 17-të, në Salem të Massachusetts-it.


Ai është ekzekutuar së bashku me një mori njerëzish, të cilët akuzoheshin për ushtrim magjie. Kjo ishte sprova e tij. Vetë Mileri, si përfaqësues i intelektualizmit, është trajtuar nga shumë kritikë për këtë gjë. Sepse në veprat e tij ai paraqet më shumë luftën e protagonistëve, nxjerr në pah sprovat, dinjitetin, më shumë instinktivisht sesa emocionalisht.

A ekziston një marrëdhënie mes përkthyesit dhe autorit?


Në fund të shekullit të XX filloi tendenca që përkthyesi i ardhshëm i teatrit të mos jetë më në atë kornizën tradicionale, ku dramaturgu dhe përkthyesi qëndronin më vete.


Kohët e fundit është tendenca që dramaturgu të bashkëpunojë me përkthyesin dhe regjisorin. Artur Mileri ka qenë ndër më të veçantët në këtë aspekt. Ai ka bashkëpunuar shumë me regjisorët, sidomos me Elia Kazan, i cili ka vënë në skenë "The Crucible" dhe "All my sons".


Mendoni se krahasimi i veprave është një metodë më e mirë për të nxjerrë në pah vlerat e një vepre sesa studimi teorik?


Duke bërë krahasim nuk rrimë të shohim më teoritë. Kur krahasohen përkthimet, dihet që ka risi. Këtu shikojmë shumë çfarë janë metodat e përkthimit, procedurat që janë ndjekur, si përcillet mesazhi në mënyrë besnike ndaj origjinalit në mënyrë të përshtatur. Gjithmonë flitet për përshtatje.


Kuptohet që ka një kombinim procedurash përkthimi, sepse nuk është e thënë që çdo gjë mbetet e njëjtë nga fillimi në fund. Ka transpozime, modulime, shtesa, heqje. Sepse një kulturë është ndryshe nga një tjetër, si e pranon një kulturë nuk e pranon një tjetër.


Znj. Klosi, ju jeni pro apo kundër ripërkthimeve të veprave?


Patjetër që pro. Çështja është se çfarë sjellin ripërkthimet. Në atë kohë, për shembull, te "Death of a Salesman" (Vdekja e një komisioneri) apo "The Crucible" (Shtrigat e Salemit), shumë gjëra janë hequr për shkak të censurës dhe ato mund të sillen sot që jemi më të lirë.


Dhe jo vetën në aspektin e fesë. Në atë kohë flitej për një komunitet puritan me shumë rregulla dhe parime, d.m.th, kundër Luciferit dhe magjive. Pas "The Crucible" ka një simbolikë, pasi dihet cilës kohë i referohet Mileri. Analogjia bëhet për sistemin që ai jetonte, dihet që gjuetia e shtrigave u referohej komunisteve.


Ripërkthimi mund të ishte një gjetje e mirë, sepse shumë fjalë në atë kohë mungonin. P.sh., po t'i marrim fjalët të ndara, citofoni, që sot e përdorim gjerësisht, nuk ekzistonte si fjalë. Në atë kohë, në anglisht ishte button, dhe në shqip është përkthyer kopsa. Gjuha është zhvilluar, ka evoluar.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›