E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konflikt me armë mes një grupi, plagoset 10-vjeçari

DURRËS/ Tre të rinj kanë qëlluar me armë kundër njëri-tjetrit duke plagosur një të mitur që luante para pallatit


DURRËS - Një 10-vjeçar ka mbetur i plagosur gjatë një shkëmbimi zjarri mes një grupi të rinjsh, duke rrezikuar jetën. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së të hënës kur disa shtetas janë grindur me njëri-tjetrin e më pas kanë përfunduar në të shtëna armësh, që kanë terrorizuar banorët përreth.


Një nga plumbat e armës ka prekur trupin e një të mituri, i cili po luante në oborrin e shtëpisë së vet. Policia ka vënë në pranga dy të rinj, ndërsa një i tretë vijon të jetë në kërkim.


Ngjarja

Rreth orës 21:00, në lagjen nr.18 në Durrës, një grup të rinjsh kanë pasur një konflikt mes tyre. Por epiqendra e sherrit kanë qenë tre shtetas e pikërisht Saimir Myftari, 26 vjeç, Denis Hoxha, 27 vjeç, si dhe 22-vjeçari Briken Shkoza.


Shkak për grindjen ka qenë një konflikt i mëparshëm për motive banale. Ritakimi i së hënës ka bërë që tre të rinjtë të rifillojnë sherrin, i cili ka përfunduar në përdorimin e armëve.


Saimir Myftari dhe Denis Hoxha kanë qëlluar kundër Shkozës, por edhe 22-vjeçari ka reaguar. Një nga plumbat ka kapur rastësisht një 10-vjeçar i cili po luante me shokët në oborrin e shtëpisë së vet, duke u plagosur.


Ndërkohë, asnjë prej protagonistëve të këtij konflikti me armë nuk është prekur nga plumbat. I mituri është dërguar me urgjencë në spital, ku i është nënshtruar një operacioni për shkak të plagës së marrë në pjesën e sipërme të kofshës. Bluzat e bardha bëjnë të ditur se 10-vjeçari është jashtë rrezikut për jetën.


Policia


Në ngjarjen e ndodhur, uniformat blu kanë identifikuar si protagonistë Saimir Myftarin, Denis Hoxhën dhe Briken Shkozën. Mësohet se ky i fundit ka qenë edhe objektivi i dy të rinjve të tjerë për t'i vrarë. Menjëherë pas ngjarjes, autorët janë larguar në drejtim të paditur. Policia bën të ditur se nga dëshmitë e marra, grupi i të rinjve ka qenë më i madh se tri vetë.


Pas krismave, sheshi është boshatisur nga të rinjtë, duke lënë në shesh vetëm pak gjurmë si një gëzhojë dhe një plumb që ishte përplasur në mur dhe kishte rënë në shesh.


Gëzhoja i përket një pistolete të llojit "Zastava" me kalibër 9mm. Ndërkohë, duke qenë se nuk janë gjetur gëzhoja të tjera, megjithëse janë dëgjuar disa krisma, mendohet se arma tjetër është një pushkë me mulli, e cila nuk i lëshon gëzhojat. Ende nuk është vërtetuar se cila nga armët ka plagosur të miturin.


Arrestimet


Pas mbledhjes së dëshmive në vendngjarje dhe identifikimit të autorëve, policia ka shpallur në kërkim tre personat, dy prej të cilëve janë arrestuar. Në pranga kanë përfunduar pasditen e djeshme 22-vjeçari Briken Shkoza dhe 27-vjeçari Denis Hoxha. Ky i fundit është dorëzuar me ndërhyrjen e të atit.


Arrestimet janë kryer në lagjen 15, në zonën e Spitallës, në ambiente të ndryshme. Ndërkohë, vijon të jetë në kërkim 26-vjeçari Saimir Myftari. Akuzat e ngritur ndaj protagonistëve janë "vrasje me dashje e mbetur në tentativë, në bashkëpunimi", si dhe "armëmbajtje pa leje".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›