E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpejtësia, përfundon poshtë trajlerit 60-vjeçari

Dy aksidente janë shënuar përgjatë natës, duke lënë të vdekur dy të moshuar


Ka përfunduar poshtë një trajleri për shkak të shpejtësisë së madhe me të cilën po lëvizte, duke gjetur vdekjen.


Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00 në aksin rrugor Lushnjë Fier. Kimet Kaja, 60 vjeç, banues në Kolonjë, ka qenë duke udhëtuar me automjetin e tij tip "Benz" me targa LU 0956 C.


Ndërkohë që udhëtonte, 60-vjeçari ka goditur nga pas një automjet tip "trajler" me targa të Fierit. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se mjeti i rëndë ka qenë duke ecur në drejtim të Fierit, ndërsa Kaja me automjetin e tij ka qenë duke lëvizur pas tij.


Ende nuk është zbardhur e plotë se si 60-vjeçari është përplasur aq fort me mjetin e rëndë që ndodhej para tij, sa i gjithë automjeti është futur poshtë trajlerit, ku si pasojë ka gjetur vdekjen.


Për të nxjerrrë trupin e viktimës, nga ana e policisë rrugore është thirrur një mjet zjarrfikës i cili ka bërë të mundur prerjen e llamarinave dhe nxjerrjen e automjetit që poshtë trajlerit.


Nga hetimet paraprake rezulton se shkak për aksidentin ka qenë shpejtësia shumë e madhe me të cilën po lëvizte viktima, megjithatë hetimet vijojnë.
Një tjetër viktimë është shënuar në vendin e quajtur "Serat e Mashkullorës" në aksin Tepelenë - Gjirokastër.


Një 78-vjeçar ka humbur jetën në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ndërsa automjeti që drejtonte ka humbur kontrollin dhe ka dalë jashtë rrugës.


Burime zyrtare të policisë kanë bërë të ditur se automjeti tip "Fiat Bravo" me targa greke YPE 5095, me drejtues mjeti shtetasin Thanas Caca, 78 vjeç, lindur në Konispol Sarandë dhe banues në Korçë, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në fushë, duke u batuar. Për pasojë drejtuesi i automjetit, i cili udhëtonte vetëm, ka gjetur vdekjen e menjëhershme.


Nga të dhënat e mbledhura në vendngjarje grupi hetimor ka konstatuar se shkaku i aksidentit është "humbje e kontrollit të drejtuesit të automjetit". Automjeti kishte si drejtim lëvizjeje, nga Korça për në Athinë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›