E Diel, 1 Nëntor 2026

Artur Mileri për Gjon Milin

Aty nga fillimi i viteve ’60, në një rrugë të njohur të Nju Jorkut (Bulevardi 6), ecnin duke biseduar me gjallëri katër njerëz, një femër dhe tre meshkuj. Ata nuk ishin njerëz të dosidoshëm, po me emra që më pas do të shkruheshin me “germa të mëdha” në Historinë e Artit dhe Kulturës Botërore të shekullit XX. Femra quhej Inge Morath (1923-2002), fotografe austriake e martuar në Amerikë me një dramaturg të njohur, më vonë do të bënte pjesë në fotografët më të mirë në Histori të Austrisë. Burrat ishin ; dramaturgu i shquar amerikan, Artur Miler (1915-2006), autor i mjaft pjesëve teatrore të suksesëshme brenda dhe jashtë Amerikës, bashkëshorti i Morath (pas ndarjes së tij nga aktorja Merilin.Monro), tjetri ishte francezi Henri Cartier-Bresson (1908-2004), i cili konsiderohet si fotografi më i madh europian i shekullit të kaluar dhe një nga nismëtarët e Agjensisë së Fotografëve “Magnum”, ndërsa i treti quhej Gjon Mili (Korçë,1904-Nju Jork,1984), fotograf i përmendur amerikan me origjinë dhe vendlindje shqiptare.

Këtë katërshe përshkruan shkrimtari Artur Miler në faqet 495-96 të librit të tij autobiografik “Timebends” (botuar më 1987 dhe 1995 nga Penguin Books, NY). Fillimisht në to pasqyrohet biseda “e nxehtë” ndërmjet Kartje-Bresonit dhe Gjon Milit në lëmë të estetikës dhe procesit të fotografimit. I pari mbronte fotografinë e çastit, ndërsa i dyti atë të studjuar. Francezi, madje kish botuar edhe një libër të titulluar “Casti vendimtar”(“Moment decisife”) e nuk ishte ndarë asnjëherë nga “syri i tretë” aparati i tij “Laika”. Shqiptaro-amerikani kishte përdorur dritën stroboskopike me frymëzim, ndoshta jo tokësor, për të krijuar fotografi që kanë mbetur tepër të vlerësuara në Historinë e Fotografisë Botërore. Secili përpiqej t’i mbushte mendjen austriakes që mënyra e tij e fotografimit ishte më e mirë se e tjetrit dhe për këtëarsye, Inge duhet të ndiqte atë rrugë. Në të vërtetë, të dy kishin të drejtë, arti është zemërgjerë dhe ka vend për të gjithë. Biseda bëhej me “flakërima” batutash, buzë përdorimit të forcës, megjithatë Miler thekson se “ata e donin shumë njeri-tjetrin”. Francezi e quante studion e Milit në “Rrugën 23” të Nju Jorkut, me emrin “Athina e Nju Jorkut” për nivelin e lartë të diskutimeve mbi fotografinë, pikturën, muzikën, letërsinë etj.

Më pas Miler përshkruan me dashamirësi vetëm figurën e Gjon Milit (faqe 496), jetën dhe veprimtarinë e tij të lidhur ngushtësisht vetëm me fotografinë. Për të gjithçka tjetër jashte kësaj fushe, kishte fare pak kuptim. Gjithashtu, dramaturgu I madh, shpreh keqardhjen e tij për zjarrin e madh që i shkrumboi studion e famëshme të fotografit disa vite më pas (1966) kur u kthyen në hi, jo vetëm mjaft foto e dhurata, por sidomos letërkëmbimi i Milit me njerëz të shquar të botës së artit dhe kulturës, ndër to më e spikatur ajo me piktorin e madh, Pablo Pikas. Nga ato që përshkruan Miler, mësohet se ai e ka ndjekur jo pa vemendje Milin edhe vite e vite pas takimit të “katërshes”, duke mos harruar asnjëherë të shënojë origjinën shqiptare të fotografit. Këtu hasim një lapsus kohor të Milerit kur shkruan :”…nëna e tij në ato male të izoluara shqiptare”. Kjo sepse Viktoria, e ëma e Milit, pas martese (1899) e deri sa vdiq (1959) ka jetuar në Rumani. Ndërsa për pjesën gjeografiko-politike “mallet e izoluara shqiptare” ky përcaktim tingëllon mjaft i saktë për kohën., ashtu ishte e gjithë Shqipëria e izoluar, gjë që e vuajti edhe vet fotografi. Atij nuk ju lejua ardhja ne vendlindje megjithë disa kërkesa të tij në përfaqësitë tona diplomatike jashtë vendit. Prejardhjen shqiptare të Milit, dramaturgu i shquar e ve në pah edhe nëpërmjet dashurisë së fotografit për këngët dhe vallet folklorike nga vendi i “rrënjëve “të tij.

Njohja e Milerit me Gjon Milin dhe përshkrimi i këtij të fundit nga dramaturgu i madh, nuk përbën ndonjë çudi po të njihet mirë figura e fotografit shqiptaro-amerikan. Për këtë përmendim se ekspozitën e Milit në Paris (1946), e përuroi me fjalë të ngrohta filozofi Zhan Pol Sartre e, në atë kohë ai kishte vetëm tetë vjetë që merrej tërësisht me fotografinë. Gjatë veprimtarisë së tij si fotoreporter tek revista e madhe amerikane,”Life”, Mili ka pas të bëjë me mjaft njerëz të shquar të artit e politikës botërore, por në saje të natyrës së tij pasionante, kulturës dhe të çiltërsisë, krijoi me ta edhe miqësira të ngushta e kohëgjata.

Veçojmë këtu miqësinë e tij me Pikason për të cilin botoi edhe një album-monografi, “Përmasa e tretë e Pikaso” (PICASSO’s Third Dimension, 1970), ku përfshihet dhe fotoja shumë e njohur “Pikaso duke vizatuar me dritë” (1949). Përmendim gjithashtu marrëdhëniet e ngrohta me dramaturgun irlandes Shon O’Kejsi (Sean O’Casey), me violonçelistin e shquar spanjoll Pablo Kazals etj, përveç me kolegët e tij, fotografët shumë të njohur: Robert Kapa, Kartje- Breson dhe Aizenshted.

Në një letër (2006), fotografi dhe studiuesi amerikan, Xhon Loengard (dt.1935) ish-koleg i Milit shkruan ndër të tjera në mënyrë figurative se “shpikjen e dritës stroboskopike, personaliteti i Milit e shtyu të dilte përjashtë e t’a shihte botën nëpërmjet krahëve të një zogu”. Për Gjon Milin, vet shpikësi i dritës stroboskopike, Harold Exherton (Edgerton) shprehet se:”Ai njohu forcën e dritës strobe dhe për vite na udhëhoqi në këtë fushë në një rrugë me të vërtetë imagjinare. Ai na nxiti ne”.

Krijimtaria artistike e Gjon Milit publikohet vazhdimisht në revista të specializuara të fotografisë në vende të ndryshme. Për të, herë pas here, botohen artikuj studimor vlerësues (ndër të fundit i një studiuese australiane të fotografisë, Sarah McDonald). Përfshirja e veprës së Milit brenda vemendjes së kritikës botërore të fotografisë, flet për nivelin e lartë të saj e njëkohësisht krijon një krenari fare të ligjëshme për bashkëkombasin tonë të shquar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›