Shteti i dështuar
Kosovarët e rinj duhet të përgatiten për tregun global të dijes, pra edhe për tregun global të punës, duke marrë njohuri për një dialog me “fundin e historisë” dhe “rikthimin e saj” për ta ndërtuar shtetin demokratik të vlerave të përbashkëta evropiane. Pushteti kosovar deklarohet si properëndimor (demokraci liberale) në njërën anë e mëton të vërë kontroll total mbi shoqërinë civile dhe mediat në anën tjetër, duke mos lejuar shoqërinë të çlirohet nga frika. Se ekziston qasja e betonuar folklorike në historiografinë e re shqiptare, kjo dihet, por nuk dihet se ku e ka burimin frika që t’i qasemi historisë sipas përmasës së saj reale, faktike.
“Po, nuk e mohoj këtë qasje, madje krenohem se jam nacionalist”, - deklarohet publikisht një profesor i vjetër historie, në një TV-debat. Vërtet profesori Hamdi Thaçi ma shtoi kureshtjen ta lexoj librin e historisë së klasës së pestë, që Armati, djali im, e kishte ndarë nga librat tjerë për ta ruajtur. Ai ende nuk e ka kuptuar se këta janë libra skandalozë, por ia ka ëndja të bëhet një koleksionues librash historikë!? Por pse kosovarët i nisin fëmijët në shkollë për dije, e atje, i mësojnë sipas preferencave ideologjike të vetë mësuesve të historisë, të jenë monarkistë, enveristë ose demokratë, ndoshta për këtë s’e keni vrarë mendjen.
“Pa dyshim se kam me t’i bâ thminë patriota”, mu drejtua profesori i historisë, pas debatit. Jo, i them, m’i bëj të ditur, që të mund të konkurrojnë në tregun global të dijes, se patriotë s’po zë më ky vend i vogël dhe me fare pak lavdi. Fundja, patriotë ose jo, i majtë ose i djathtë, ateistë a teistë, vendosin ata vetë, në moshën madhore.
Kur ta merrni në duar librin e historisë për klasën e pestë fillore, përgatituni për befasira! Do të gjeni një interpretim ‘jashtëtokësor’ të historisë që quhet kombëtare! Në këtë libër ekziston matja e viteve edhe pas erës sonë, (duket se e kanë marrë në kuptimin e parë, banal, si fakt definitiv “njeriun e fundit” të Fukuyama-s), ekzistojnë dokumente të shkruara në gurë dhe dru që ruhen në arkiva (sic!) dhe kulmi arrihet kur flitet për ilirët (kur lexon e s’u beson syve), se në gjuhën ilire janë shkruar shumë libra, kur dihet se letra “u zbulua” në Evropë në shekullin 12, ndërkaq shtypshkrimi arriti në Evropë në shekullin 15.
Krejt tekstet në këtë libër sjellin të vërteta definitive, me fjali aq të shkurta e me pikë në fund, saqë te nxënësi i klasës së pestë të fillores krijojnë siguri të pamatshme, pra kanë efekt psikologjik manipulativ. Kur p.sh., F. Demajt në TV-debat i thashë se e mbështes Malcolm-in rreth Lidhjes së Prizrenit, ai m’u drejtua se Malcolm-i ka shumë gabime e keqinterpretime! Mirëpo unë s’kam hasë në ndonjë kritikë të shkruar askund ndaj librit të Malcolm-it në Kosovës, pra as nga Demaj. Respekt për ekspertin e ri të Institutit të Historisë (që e kritikon biografin botëror të Tomas Hobbes-it) dhe për profesorin e vjetër (që i bën fëmijët nacionalistë), por më shumë respekt për të vërtetën. A mendojnë ata profesorë e mësues entuziastë të historisë që te fëmijët duhet ngjallur sensi që mos t’i marrin konkluzionet të gatshme (indoktrinare), por t’iu lihet atyre pak hapësirë për të menduar vetë me pak kreativitet dhe shtruar pyetje e dilema? A duhet që historia kombëtare dhe ajo e përgjithshme të jetë një projekt i hapur apo të perceptohet si histori definitive, pra histori drejtimore e botës apo qëllim i fundit?
Historia më parë se dije, është shkathtësi e të filozofuemit për të vënë dialog me kulturat, interesat e shteteve-kombe, ideologjitë, burrështetasit dhe karakteret e tyre, politikën, diplomacinë dhe qytetërimet e ndryshme. Se është shkathtësi filozofike, dëshmojnë Francis Fukuyama që shpalli fundin e saj dhe Robert Kagan që e riktheu atë. Se është shkathtësi vështirë e arritshme, këtë ma dëshmuan Dr. Fehmi Rexhepi dhe Mr. Frashër Demaj, si autorë të tekstit të Historisë 5, kur ata dy dhe tërë ekipi i ekspertëve të Ministrisë së Arsimit nuk e dinë se pas epokës sonë nuk ekziston diçka sipas masës sonë të kohës dhe po ashtu nuk e dinë se dokumentet e shkruara në gurë dhe dru nuk mund të ruhen në arkiva, por në muze, gjë që profesori i vjetër e kishte hetuar!? Etnonacionalistët, kur flasin për histori kombëtare, ndërkaq e kuptojnë kombin si kategori të përhershme dhe statike, shumë mijëvjeçarë para se të krijohet ai (produkt i shekullit 19), ata e mendojnë kombin- shtet, edhe kur flasin për paraardhës të mundshëm (stërgjyshër hipotetikë) dhe për principata e princër mesjetarë, si dhe për etninë shqiptare nën Perandorinë Osmane. Me këso shkolle, fëmijët bien që në hapat e parë në lajthitjet e etnonacionalistëve, për të menduar se shqiptarët ishin kombi i parë mbi dhé, kurse shteti i tyre ishte bërë para Anglisë!).
Nuk duhet të habitemi, kjo historiografi dhe kjo shkollë prodhon sot mendësinë e qeverisjes, diplomacisë, kulturës, ekonomisë... Ky shkrim i dobët albanologjik mbi historinë prodhon fatkeqësinë e këtij vendi edhe ashtu të lodhur. Një libër, thjesht i mjerë, që po ta dija se çfarë përmban, do t’ia ndaloja Armatit ta lexonte! Më parë do t’i rekomandoja botimin: “Bibla e ilustruar për fëmijë” ose do ta lija “të vritet e të vrasë” në “Counter Strike”. Asnjë dëm nga to. Kjo historiografi e mendësisë albanologjike e bën të dështuar shtetin e Kosovës.
Dhe si i tillë, ai s’do t’i vyej askujt!