Garda: Na rrahu Ndriçim Hysa
“Sot, në orën 10:30, gjatë kryerjes së shërbimit nga strukturat e Gardës së Republikës në sallën e seancave plenare, në hyrje, deputetët Hysa dhe Harasani mbanin në dorë objekte që ndalohet të futen në Kuvend”, - deklaroi Kruja.
Ai tha se “mbështetur në pikën 1 të Vendimit të Byrosë së Kuvendit Nr. 11, datë 01.03.2006, shërbimi i brendshëm i Gardës së Republikës në përmbushje të detyrës kërkoi dorëzimin e këtyre objekteve”.
Sipas Gardës, deputetët jo vetëm që nuk iu bindën kësaj kërkese, por, duke ofenduar dhe ushtruar forcë, tentuan të futen në sallë.
“Të dy deputetët, por në mënyrë të veçantë deputeti Andis Harasani, ka goditur me grushte punonjësit e Gardës së Republikës, Komandantin e Shërbimit, Arben Nika dhe nënoficerin e shërbimit, Ilir Çelmeta, te cilët, si pasojë e goditjeve, janë gjakosur”, - deklaroi z. Kruja.
Kruja lajmëroi se “për këtë incident punonjësit e shërbimit do të bëjnë kallëzim penal”, duke shtuar se “Garda e Republikës në kryerjen e detyrave zbaton vetëm ligjin, të cilit duhet t’i binden të gjithë”.