Artur Zheji: Rama është personazhi më i vështirë për tu menaxhuar, me Metën biseda shkon fjollë
Artur Zheji, gazetari dhe moderatori i emisionit 360 gradë në News 24, ka treguar në një intervistë për GSH se cili është personazhi më i vështirë për tu menaxhuar në studion televizive.
Personazhi më i vështirë ishte padyshim Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, i cili, në dy orë e gjysmë duhej të ngjishte një program të gjerë dhe shumë kompleks, që kishte si pikësynim krijimin e besimit te shqiptarët për atë që mund të quhet vota totale, vota për të qeverisur gjithë Shqipërinë. Një ambicie dhe një ëndërr e vjetër e Ramës. Në këto raste politikani priret të jetë i tendosur, sepse pyetjet dhe kundërargumentet e gazetarit i ngjajnë si gurë apo si pengesa të kota që ndalojnë vërshimin e vrullshëm të ideve dhe pasioneve. Ndodh pra gjithmonë një keqkuptim i garantuar ndërmjet gazetarit që vesh kostumin e zërit të popullit të heshtur, që qëndron nga ana tjetër e kamerës, dhe kandidatit për pozicionin e Njëshit, i cili ka bindjen dhe forcën sugjestive, se ajo që ai mendon dhe gjykon, pikërisht ajo dhe asgjë tjetër, është më e vërteta dhe më e vlerta gjë e kësaj bote. Kjo kontradiktë shpërthen hera- herës në nervozizëm dhe në një pothuajse antagonizëm, që sipas meje është një përplasje profesionale dhe e domosdoshme. Përndryshe, Kryetari i PS-së dhe çdo kryetar tjetër, do të mbante veçse një fjalim, si të gjitha fjalimet e shpenguara të kryetarëve…
Ndërsa biseda fjollë është zhvilluar me Ilir Metën. Sepse ai, tash e sa kohë, ka aplikuar si metodë të komunikimit publik, çtensionimin e debatit publik dhe shmangien me një buzëqeshje qoftë edhe të zorshme, të pyetjeve të ashtuquajtura të këqija. Për shembull, kur i nënvizova një nga batutat e mia të ripërsëritura për të në këtë fushatë të gjatë dhe plot të papritura, se: Ilir Meta, i di vetë punët e veta!, ai, Ilir Meta pra, bëri një pauzë të shkurtër, brenda së cilës u mat disa herë të thoshte diçka, pastaj në kuadrin e një vetëkontrolli të plotë, heshti dhe shtoi si garniturë një buzëqeshje të padeshifrueshme por njëkohësisht aprovuese. Sepse Meta, me sa duket ia ka mbërritur ti zhysë thellë e më thellë, në brendësi të tij, emocionet dhe nervat e tendosura, që për dikë që e njeh, e di që nuk i mungojnë, shprehet Zheji.
Sipas tij, vendimi i Berishës për të mos dalë në emisione televizive në këtë fushatë zgjedhore, duket se e ka dëmtuar atë.
Berisha në qasjen e tij mediatike bëri një zgjedhje dhe një zgjidhje ndryshe. Në të drejtën e tij! Mirë do të ishte të vinte. Kisha përgatitur një cikël pyetjesh interesante dhe besoj origjinale. Respektoj përzgjedhjen e tij. Por mendoj se mosardhja e tij në 360 Gradë nuk e dëmtoi emisionin. Ndoshta dëmtoi atë vetë, sepse humbi një mundësi për të shprehur diçka më të thellë të vetes së tij si politikan dhe si njeri i lexuar. Do të kish qenë një hard talk i hatashëm. Por ja që nuk ndodhi, për arsyet që i di vetëm Sali Berisha./ep