E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arvizu: Heqja e imunitetit, hap i rëndësishëm drejt luftës kundër korrupsionit

23-07-2012 / Gazeta 55

Presioni opozitar kundër heqjes së imunitetit, Arvizu takon Ramën


Presioni dhe shantazhi politik i Partisë Socialiste për të penguar me çdo kusht heqjen apo kufizimin e imunitetit, s’është pritur mirë nga trojka e ambasadorëve në vendin tonë. Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu ka zhvilluar sot një takim me kreun e PS, Edi Rama. Diplomati amerikan është përpjekur të bindë kreun e opozitës që çështja e imunitetit të zgjidhjet sa më shpejt, ndërsa pjesa tjetër e reformave që luftojnë korrupsionin të shqyrtohen në shtator. Heqja e imunitetit është vetëm njëra anë e luftës ndaj korrupsionit. “Unë nuk do ta them që në 6 gusht duhet të miratohet heqja e imunitetit, por mund të them nëse mund të përpilohet një draft i mirë që pasqyron pikëpamjet konsensuale jo vetëm të një pale dhe atëherë ata mund të vendosin se çfarë është më mirë për vendin. Çështjet më të gjera nuk mund të sqarohen përpara 6 gushtit, por nuk shoh përse këto çështje mund të mos trajtohen gjatë shtatorit ose në fillim të tetorit, po është e rëndësishme që të trajtohen. Nëse thjesht do të kaloheshin të gjitha amendimet për imunitetin ndoshta mund të mendohej që në mënyrë efektive mund të luftohet korrupsioni vetëm me këtë po nuk mjaftohet me këtë”- u shpreh Arvizu Por, përkundrejt insistimit të ndërkombëtarëve veçanërisht të ambasadorit të SHBA në vendin tonë, kreu i PS-së Edi Rama ritheksoi palëkundshmërinë e opozitës në lidhje me çështjen e imunitetit. Kësisoj, pak minuta pasi Arvizu kishte lënë selinë rozë, kreu socialist, Edi Rama u shpreh se nuk do të japë aprovimin për imunitetin në 6 gusht me argumentin se kushtetutës nuk i bëhen arnime në verë e në vjeshtë. “Ne nuk kemi vendosur kushte dhe as nuk bëjmë pazar për këtë proces. Ne kemi para një vizon të bindur se vendit i duhet një reformë kushtetuese në funksion të forcimit të sistemit të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit. PS është absolutisht e vendosur për heqjen e imunitetit është një qëndrim i kahershëm por PS-ja nuk do të arnojë kushtetutën në gusht dhe pastaj të bëjnë armine të tjera në shtator. Ky është një mision për t`i dhënë vendit një shans për të marrë statusin e kandidatit duke treguar se jemi të gatshëm të bëjmë reforma reale dhe jemi të gatshëm të mos mbeteni në një debat shterp për imunitetin, por përmes një debati për kushtetutën të bëjmë edhe ndarjen e pushtetit politik nga pushtetit gjyqësor”- theksoi Rama. Drafti i përbashkët i PD-së dhe PS-së për heqjen e imunitetit do t’i paraqitet për votim kuvendit të Shqipërisë në seancën e 6 gushtit. Faktori ndërkombëtar i ka apeluar klasën politike shqiptare të mos humbë kohë por të përmbyllë para shtatorit çështjen e kufizimit të imunitetit dhe reformës në drejtësi, në mënyrë që Shqipërisë t’i hapet rruga për marrjen e statutit të kandidatit për në Bashkimin Evropian.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›