Berisha: Ja pazaret e Ramës në këmbim të “imunitetit”

Kreu i qeverisë tha sot para ligjvënësve demokratë se lidershipi socialist kërkon të bëjë pazare duke bllokuar heqjen e imunitetit. Berisha theksoi se Rama kërkon në shkëmbim të heqjes së imunitetit që të gjithë krerët e institucioneve të emërohen me mekanizmin e Avokatit të Popullit
Çështja më e debatuar e javëve të fundit, heqja e imunitetit përmes ndryshimit të Kushtetutës, është trajtuar gjerësisht edhe sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PD. Kryeministri Berisha, krahas apelit të radhës për opozitën që të japë votën “pro” amendimeve të Kushtetutës në 6 gusht, parashtroi dhe arsyet për të cilat Rama shfaqet bllokues përballë një nisme të tillë. “Zoti Rama kushtëzon heqjen e imunitetit i cili do të lehtësonte çdo hap për luftën kundër korrupsionit, duke lehtësuar punën e drejtësisë.
Ajo që është bizare është se Rama e lidh heqjen e imunitetit me pazare për drejtësinë. Por çfarë kërkon në shkëmbim zoti Rama? Atë që ndodhi me Avokatin e Popullit që e mbajti dy vjet pa kryetar. Kërkon që të gjithë krerët, të gjykatës së lartë, të gjykatës kushtetuese, të prokurorisë të përgjithshme, të presidentit të emërohen me mekanizmin e Avokatit të Popullit që do të thotë ose zgjedhje e tyre në zyrat e Fidelit ose mbajtje e institucioneve pa kokë”- u shpreh Berisha.
Kryeministri tha se kreu i opozitës kërkon që në vend të sundojë pakica dhe kjo sipas tij nuk do të vendoset kurrë. “Standardi i Ramës është sundimi i pakicës. Ky është kusht e sundimit të pakicës dhe kjo kurrë nuk do t’i vendoset këtij vendi. Kanë ikur kohërat kur një pakicë mund të sundojë këtë vend. Nëse të gjithë drejtuesit të zgjidhen ose të emërohen nga pakica, atëherë pse të mos jetë pakica që zgjedh qeverinë. Nëse ne do të bënim këtë, kërkesa tjetër e Ramës do të ishte që kryeministri të zgjidhej me 84 vota.
Këto janë standardet e tij”- tha kryeministri.
Sipas tij, Rama mban peng imunitetin për shkak të kupolës në parti.
“Zoti Rama të lërë me një anë pazaret të heqë imunitetin. Opozita duhet të jetë promotor i kësaj, si në çdo vend të botës. Me imunitet mbron një kupolë prej katër vetësh në parti. Ligjet tona janë ligje demokratike, të cilat përputhen tërësisht me standardet ndërkombëtarë. E ftoj atë të amendojmë Kushtetutën për imunitetin. Garantoj qytetarët se lëshimi i që kemi bërë ne është bërë me qëllimin e vetëm që të bindim PS”- tha kreu i qeverisë.
Shefi i ekzekutivit risolli dhe njëherë tjetër në kujtesë seancën dëgjimore në Këshillin e Legjislacionit, e cila dhe opinione të ndryshme në ndihmë të një procesit për mendimin e ligjit themeltar të shtetit.
“Seanca ishte një leksion i shkëlqyer doktrinar për imunitetin, natyrisht, ata zonja dhe zotërinj që folën para jush nuk kanë tagrin politik për të kthyer pikëpamjet e tyre në ligje të vendit, por është detyrimi ynë që të pasqyrojmë ato dhe të votojmë në 6 gusht një akt madhor, që qytetarët e presin prej 10 vitesh, të cilin PD e ka mbështetur për vite me radhë”, deklaroi kryeministri Berisha.
Gjithashtu, kreu i qeverisë i ka bërë thirrje Ramës që të përfillë interesat e qytetarëve shqiptarë, të lërë mënjanë pazaret dhe të studiojë qartësisht tërë ecurinë e dialogut politik në këto vite.