Arvizu: Klasa politike të bashkëpunojë për reformat
Ambasadori i SHBA-së në Tiranë Aleksandër Arvizu i ka bërë sërish apel klasës politike të bashkëpunojnë për arritjen e reformave të rëndësishme për vendin. Në një prononcim për mediat pas takimit me kryebashkiakun Lulzim Basha, ambasadori amerikan ka theksuar se i përket shqiptarëve që t`u kërkojnë drejtuesve të tyre, për ndërmarrjen e këtij lloj angazhimi.
"Nëse shikojmë në të shkuarën e afërt sesi Sllovenia dhe Kroacia, për këdo që ka disa informacione e kuptojnë që ka pasur pengesa, por kanë ditur si t`i kapërcejnë ato, në mënyrë që mund të ecim drejt rrugës së integrimit evropian. Nuk ka asnjë arsye, pse kjo gjë të mos ngjasë në Shqipëri", u shpreh Arvizu, pas takimit të zhvilluar me kryetarin e Bashkisë së Tiranës.
Në lidhje me këtë takim, Arvizu ka deklaruar që SHBA-të, kanë pasur dhe do të vijojnë të kenë bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës.
"Kemi dhe një traditë të gjatë të bashkëpunimit në të gjitha detyrat që, kryetari i bashkisë ka pasur më herët. Presim me kënaqësi marrëdhëniet e reja me të. Duke diskutuar mbi mënyrën sesi mund të bashkëpunojmë për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Tiranës. Përmirësimi i jetës së qytetarëeve të Tiranës, është e rëndësishme për mua dhe për SHBA-në. 1/3 e qytetarëve të Shqipërisë jetojnë në këtë qytet dhe në rrethinat e saj", u shpreh ndër të tjera Arvizu.
Ndërsa nga ana e tij, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka deklaruar se në këtë takim ka falënderuar ambasadorin e SHBA-ve, për mbështetjen që ambasada i ka dhënë bashkisë së Tiranës në vite. Gjithashtu Basha e informoi ambasadorin edhe për prioritetet e punës së bashkisë në drejtimet kryesore në zhvillimin ekonomik të Tiranës dhe rritjen e shansve për punësim, pëmirësimin e jetës nëpërmjet ndërhyrjeve urbane, qeverisje transparente më efikase.
"Kërkova dhe morra mbështetjen e zotit ambasador për përpjekjet e Bashkisë së Tiranës në këto fusha. E falënderoj dhe e siguroj për një bashkëpunim të suksesshëm mes Bashkisë së Tiranës dhe Ambasadës së SHBA-ve", theksoi ndër të tjera Basha.