Arvizu: Vota e lirë do të vendosë nëse do ketë apo jo rotacion
Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu tha se do të jetë vota e lirë e votuesve shqiptarë ajo që do të vendosi nëse duhet dhe kur do të ndodh rotacioni. Gjatë bashkëbisedimit me qytetarë të ndryshëm në rrjetin social facebook ambasadori amerikan tha se në këtë fushatë elektorale të dyja palët politike janë duke ushtrua presion ndaj votuesve.
Pyetje-Përgjigje
Ardian Adriano: Përshëndetje z. Ambasador! Sipas mendimit tuaj, a duhet të ketë rotacion këtë radhë? Ju lutem opinionin tuaj.
U.S. Embassy-Tirana: Nëse vota është e lirë dhe e drejtë, siç duhet të jetë, atëherë votuesit do të jenë ata që do të vendosin nëse dhe kur duhet të ndodhë rotacioni
Eni Shehu: Cilat janë pritshmërie tuaja, kush mendoni se do fitojë zgjedhjet?
U.S. Embassy-Tirana: Presim që procesi zgjedhor vetë votimi, nxjerrja e rezultateve të jetë konseguent me standardet e një vendi anëtar të NATO-s, gjithashtu të një vendi që aspiron të bëhet vend anëtar i BE-së.
Kristina Cimbidhi: A mendoni se një qytetar i ndershëm në Shqipëri, i cili çdo arritje e bazon në shpatullat e veta, duhet të harxhojë kohë në radhët e gjata për të votuar?
U.S. Embassy-Tirana: Absolutisht po. Disa njerëz kanë sugjeruar se të gjithë politikanët janë njësoj, pse duhet të zgjedh unë njërin apo tjetrin? Në një demokraci është detyrimi i qytetarëve të shprehin preferencat e tyre. Kjo është e vetmja mënyrë për të insistuar për llogaridhënie nga udhëheqësit tuaj të zgjedhur.
Ardian Gjergjaj: Përshëndetje! Pyetja ime është kjo: Nëse rezulton që zgjedhjet të jenë me probleme dhe larg standarteve të parashikuara apo nëse do kemi një këmbëngulje të kryeministrit aktual për të mos e lëshuar pushtetin, pavarësisht rezultatit, ju si një nga partnerët tanë më të rëndësishëm dhe më me ndikim në zhvillimin e demokracisë, si do të reagonit? Dhe a mendoni se gjate këtyre 4 viteve të kaluara ka pas një ftohje të marrëdhënieve SHBA-Shqipëri?
U.S. Embassy-Tirana: Ne do të konsultohemi ngushtësisht me ODIHR-in dhe të tjerë mbi procesin zgjedhor, ndërsa ky zhvillohet. U përket të gjithë lojtarëve politike të respektojnë rregullat e lojës. Përsa i takon marrëdhënieve mes Sh.B.A.-së dhe Shqipërisë, pres që ato të vazhdojnë të jenë të afërta dhe miqësore, sikurse kanë qenë gjatë 22 viteve të fundit.
Urjan Doçi: Përshëndetje z. Arvizu ! Si ka mundësi që në Shqipëri çdo investim i bërë nga qeveria përdoret si investim i bërë nga Partia Demokratike? Administrata po përdoret për në fushatë, si ka mundësi që Ju ambasadorët flasin për Elihaida Danin e nuk flasin për përdorimin e administratës?? Faleminderit shumë!
U.S. Embassy-Tirana: Nëse ju i lexoni postimet dhe deklaratat e mia, unë nuk e kuptoj se si ju keni arritur në konkluzionin se pozicioni ynë për zgjedhjet nuk ka qenë i qartë. Sa për Elhaidën, ai ishte një moment triumfi për të gjithë shqiptarët.
Artan Pepkolaj: Si e do e komentonit qëndrimin në detyrë të 4 komisonerëve të pozitës në KQZ? A do të duhej të kishin një ndërgjegje qytetare dhe të mos pranonin vazhdimin e detyrës në këto kushte dhe të jepnin vetë dorëheqjen? Faleminderit!
U.S. Embassy-Tirana: Ne e kemi adresuar çështjet e KQZ-së në mënyrë të vazhdueshme. Nuk është e tepërt të themi se ne besojmë fortësisht që duhet të konstituohet plotësisht. Që kjo të ndodhë, duhet që të dyja palët të bien dakord. Nuk është asnjëherë shumë vonë.
Iksena Pepa: A mendoni se koalicioni që do humbë zgjedhjet do e njohë humbjen dhe a mund të përsëritet sërish i njëjti skenar që ndodhi në Tiranë në zgjedhjet vendore të para 2 viteve?
U.S. Embassy-Tirana: Është viti 2013. Shqiptarët sot meritojnë të kenë zgjedhje të cilat përputhen me standartet ndërkombëtare. Sa më shumë këto zgjedhje të arrijnë këto standarte, aq më pak shanse ka që rezultatet do të jenë të diskutueshme. Unë mendoj se njerëzit do ta dinë ashtu siç do ta dijë edhe komuniteti ndërkombëtar.
Reni Hasa: Zoti Arvizu, un jam 19 vjeç dhe këtë vit votoj për herë të parë. Nuk mund ta mohoj presionin që ndiej për arsye se në shkollë po bëhet një propagandë shumë e hapur për të votuar përsëri këtë qeveri. Më është ofruar edhe nota në këmbim të votës dhe një provë me fotografi. Si mund ta mbroj unë votën time?
U.S. Embassy-Tirana: Urime për herën tënde të parë të votimit! Nëse jeni në moshë madhore për të votuar, atëherë jeni në moshë për të marrë vendimet tuaja pa presion të jashtëm. Sigurohuni që të gjithë në shkollën tuaj ta shohin këtë përgjigje dhe mendoj se problemi që ju ngrini do të zgjidhet vetë.
Edmond Faber: Përshëndetje Z Ambasador, A duhet të kalojnë shqiptarët ( përfshirë edhe mua me familjen time) në një tunel elektoral dhe të pa certifikuar, (tuneli i Elbasanit i inauguruar dje nga kryeministri Berisha) duke ditur që ka një histori të mëparshme me tunelin e Kalimashit i cili u shemb?? A do kalonit Ju ose stafi i ambasadës në këtë tunel në këto kushte? Ju faleminderit.
U.S. Embassy-Tirana: Nuk diskutohet që Shqipëria ka shumë nevojë në përmirësimin e infrastrukturës, duke përfshirë rrjetin e rrugëve, me qëllim që të përmirësohet tregtia, turizmi etj. Gjithashtu nuk ka nevoje të thuhet se për tunelin që të jetë i dobishëm, infrastruktura e rrugës që të çon apo të nxjerr nga ai duhet të jetë e përfunduar.
Ardiol Skrapalli: Zoti Arvizu unë jam një prej socialistëve të fundit që kanë mbetur në administratën tatimore. Sigurisht kam vite që them se jam me PD. Na mbikëqyrin gjithandej, madje dhe Facebookun nuk e kam timin se aty më kontrollojnë. Ne na kanë organizuar tu kërkojmë bizneseve listën e punonjësve dhe që ata të firmosin një letër ku thuhet se do të votojnë për PD. Sa për dijeni kjo skeme është ndjekur këtu në Tiranë edhe në vitin 2011. Nëse nuk e japin këtë marrin gjobën më të lartë të mundshme. Ndërkohë në Tiranë pas përfundimit të numërimit në emër të kandidatit të qeverisë, janë dërguar pagesa prej 5,000 lekësh të reja për të gjithë këta punonjës. Pyetja ime është a ka mundësi të pretendohet për liri ndërsa presioni që ushtrohet mbi ne dhe që ushtrohet edhe nga ne u jep vetëm një alternativë njerëzve: votë për PD ose shkatërrim të biznesit? A ka ndonjë shans të fitojë dikush përveç Sali Berishës zgjedhje në këtë vend? Duket sikur edhe po të vinte Obama, me këto maskarallëqe këtu prapë Sala do fitonte. Si i bëhet kësaj?·
U.S. Embassy-Tirana: Unë nuk e vë në dyshim në asnjë moment që po ushtrohet presion ndaj votuesve, dhe nuk e kam fjalën vetëm për njërën palë. Por skemat e atyre që ushtrojnë presion do të kenë sukses vetëm nëse ia dalin që të kanosin votuesit individualë. Pra ju, votuesit, keni fuqinë për të kapërcyer këtë kanosje, pavarësisht kahut nga i cili vjen. Zgjedhja është e juaja.