Arvizu: Vrasjet e 21 janarit po shfrytëzohen paturpësisht për politikë

Ambasadori amerikan Arvizu
Ambasadori i SHBA: Palët dhe Gjykata të pranojnë ekspertizën e FBI
SHBA nuk e urdhëruan Gardën të qëllonte, nuk paguan as njerëz nga Laçi dhe Lezha të sillnin shqetësim
Presidenti i ri, ndoshta akademik
Ambasadori i SHBA-ve, Aleksandër Arvizu, shprehet se Presidenti i ardhshëm nuk duhet të vijë domosdoshmërisht nga politika. Sipas tij, kreu i ri i shtetit duhet të jetë një person që të mos jetë në konflikt me qeverinë, por, nga ana tjetër, të mos jetë një ratifikues i vendimeve të Ekzekutivit.
Në një intervistë në emisionin Top Story të gazetarit Sokol Balla, ai flet gjithashtu edhe për emrat e përfolur për President si dhe ngjarjet e 21 janarit.
Gjykata e Lartë e nxori të pafajshëm Metën. Keni një koment për këtë ngjarje?
Di që shumë njerëz kanë folur për këtë. Ajo për të cilën jam kureshtar është pranueshmëria e provave të huaja sepse ka qenë një kompani amerikane, e cila është kontaktuar dhe ka siguruar analizë nga kërkesa e Prokurorisë. Për çfarëdo lloj arsye kjo provë nuk është pranuar nga Gjykata. Nuk e di cila është baza për këtë, por jam shumë kureshtar për shkak të implikimeve për hetimet e 21 janarit. Shpresoj që ky nuk do të jetë një precedent i gjerë që të mos lejohen provat e huaja, sepse nëse do të ndodhë, do të jetë një problem shumë i madh.
Kur do ta botoni raportin për 21 janarin, sepse Drejtësia shqiptare ende nuk e ka thënë të plotë fjalën e saj për 21 janarin?
Përparësia jonë kryesore ka qenë që të mbështesim prokurorin e Përgjithshëm për hetimin, dhe kjo ka ndodhur. Njerëzit janë pak të frustruar, të zhgënjyer, sepse ka zgjatur kaq shumë. Ka arsye për këtë. Ajo që është e para dhe më e rëndësishmja, është se theksi ka qenë gjithmonë në atë hetim. Ne gjithmonë kemi nënvizuar që është e rëndësishme që të ketë tre komponentë kryesorë: të ishte i plotë, i pavarur dhe i lirë nga ndikimet partiake. Në bazë të analizës sonë për 21 janarin, ka qenë një ditë e tmerrshme. Gjëja më e rëndësishme në këtë përvjetor është që të kujtojmë dhe tu shprehim ngushëllimet tona anëtarëve të familjeve. Ka pasur shumë përqendrim sa u përket vrasjeve, për arsye të kuptueshme, por është e rëndësishme të dallojmë përgjegjësinë për njerëzit që kanë organizuar dhe ata që kanë ndërmarrë aktivitete të dhunshme. Mendoj se prokurori i Përgjithshëm e kupton këtë. Kryeministri, kur u takova me të sot, ka shprehur frustrimin që komponenti që ka lidhje me organizatorët nuk ka bërë progres. I kam thënë që edhe unë ndaj të njëjtin mendim me të. Kam folur me zonjën Ina Rama dhe ajo është e frustruar për këtë, por më ka dhënë disa siguri këtë javë që ajo do të mund të bëjë përpjekjet e saj që të bëjë më shumë për këtë pjesë të hetimit që të jetë gjithëpërfshirës. Njerëzit janë pak jo të durueshëm, por le të jemi të durueshëm. Të lejojmë që ky hetim të vazhdojë përpara.
A ka mbërritur ekspertiza e FBI-së?
Po, ka mbërritur. Ka pasur elementë përbërës, komponentë të ndryshëm, kërkesa të ndryshme, të cilat janë dorëzuar nga prokurorët në kohë të ndryshme, që i janë dorëzuar FBI-së. Ajo që unë kuptoj është pjesa më e madhe dhe më e rëndësishme, nga ajo që është kërkuar nga FBI-ja kjo punë është përmbushur. Ndoshta mund të ketë një ose dy shtojca ku kemi ende shpresë se do të ketë informacion shtesë, sa i përket evidencës balistike dhe ligjore të kërkuara nga prokurorët, është kryer dhe është përfunduar në fillim të janarit. Jam takuar me asistentdrejtorin e FBI-së dhe laboratori i FBI-së merret me shumë punë. E vlerësoj shumë që e kanë marrë përsipër këtë kërkesë. Ata nuk kishin mundësi që ti përgjigjeshin çdo kërkese që kanë bërë prokurorët, por ata kanë bërë më të mirën që mundën dhe ndjesia ime është që prokurorët janë të kënaqur me bashkëpunimin. Që nga dita e parë ka qenë një hetim i Prokurorisë shqiptare, është hetimi i Ina Ramës. Ne na është kërkuar në mënyrë jozyrtare që të mund të ofronim ekspertizë ligjore.
A përfshin ekspertiza ndërhyrjen në serverin e kamerave të Kryeministrisë?
Është një pyetje spekulative. Po flas për pjesën e serverit, prokurorët këtu, sikurse kudo, janë të detyruar që të ndjekin çdo lloj evidence që zhvillohet. Nëse ka pasur një zhvillim në këtë fushë, ose në atë zonë, nëse ata kanë dorëzuar prova ose kërkesa për analizë ligjore ose informacion, ne kemi ndjerë detyrimin që duhet ta merrnin këtë parasysh. Kudo që na i kanë dërguar këto të dhëna, ne jemi përpjekur që aq sa jemi mundur të ishim mbështetës.
Maxhoranca vazhdon ta gjykojë Prokurorinë si palë në hetim. Mendoni se qeveria do ti pranojë rezultatet e ekspertizës së FBI-së?
Sigurisht që shpresoj të ndodhë kështu, sepse kjo ka qenë shpresa dhe pritja ime që nga fillimi. Më kujtohet që vitin e kaluar ka qenë shumë e rëndësishme për mua që të merrja sigurinë nga Kryeministri dhe ministrat e qeverisë që ata do të bashkëpunonin me hetimin. E di që disa persona kanë ndjerë se nuk ka pasur një përputhje sa duhet sa i përket retorikës dhe sigurisë që kemi marrë, por gjithsesi, që unë kam mbajtur këtë qëndrim, nuk po justifikoj që retorika ka qenë pak e tepruar. Ajo që ka qenë e rëndësishme për mua ka qenë siguria që qeveria do të mirëpriste dhe do të mbështeste gjetjet e laboratorit të FBI-së në mbështetje të hetimit. Këtë e kam diskutuar sot me Kryeministrin dhe kam marrë sigurinë që njerëzit në qeveri vlerësojnë se FBI-ja është e paanshme. Nëse qëllimi është tek e vërteta e asaj që ka ndodhur në të vërtetë, nuk është diçka partiake sepse të gjithë duhet të gjenden në të njëjtën anë. Shpresojmë që gjykatat do ti pranojnë këto fakte.
E keni këshilluar Ramën si një vit më parë që të mos e bëjë mitingun të shtunën? A lidhet me këtë paralajmërimi i radhës i Ambasadës për të qëndruar larg bulevardit atë ditë?
Çdo ambasadë e SHBA është e detyruar ti këshillojë shtetasit amerikanë për potencialin e çdo lloj demonstrate, edhe nëse gjithë indikacionet janë që do të jetë paqësore. Gjatë javës kemi nxjerrë informacionin. Në bazë të informacionit, që ka qenë korrekt, që do të kishte disa ceremoni të shumta përkujtimore. Jam takuar me zotin Rama javën e kaluar për drekë, kemi folur për shumë gjëra. Folëm edhe për përkujtimin. Nuk mu desh të thosha ndonjë gjë. Ai e përmendi, ma shpjegoi atë që do të planifikonte të bënte PS-ja dhe ka qenë konsistente me gjithçka tjetër që unë kam dëgjuar. Duket që do të jetë një përkujtim dhe është mënyra e duhur për të përkujtuar humbjen e këtyre katër personave.
Kryeministri i kujtoi të hënën Ramës që të kujtonte paralajmërimin që i bëri më 23 janar, kur i tha se rrezikonte shumë nëse tentonte ti afrohet Kryeministrisë. Ju thatë që shumë gjëra kanë ndryshuar, por a mendoni që në këtë klimë të re ripërsëritja e këtij paralajmërimi është i nxituar?
Në përvojën time këtu, gjatë një viti, diçka pozitive rreth Berishës është që flet në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe nuk të duhet të vrasësh mendjen se çfarë ka dashur të thotë, sepse ai është shumë i qartë. Kjo është ana pozitive. Në më shumë se një rast kam menduar se mund të kishte shprehur të njëjtin mendim në një mënyrë më të matur ose diplomatike, ai mund të kishte përcjellë të njëjtin mesazh në një mënyrë tjetër të shprehuri.
Rama kërkon manifestim, Berisha paralajmëron, Meta lirohet nga akuzat dhe ju jeni këtu duke folur për 21 janarin. Duket sikur asgjë ska ndryshuar nga një vit më parë?
Mendoj që shumë gjëra kanë ndryshuar dhe sikurse folëm që në fillim, kryesorja është që katër