E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Edi Rama, regjisori politik i 21 janarit

Lëvizja Socialiste për Integrim ka akuzuar kreun e PS-së Edi se është organizatori politik i demonstratës së 21 janarit. Në një konferencë për shtyp Sekretari për çështjet ligjore Ylli Manjani ka theksuar se Rama pasi mashtroi shqiptarët me video montazhin, i konfrontoi ata me forcat e sigurisë në 21 janar.

“Zotërinjtë, limonë të shtrydhur që kapin veten në flagrancë duke ndarë jo vetëm paratë e fëlliqura, por interesat korruptive e që u vunë në dispozicion të dhunës nuk kanë mbështetjen e LSI. Ata prej kohësh, kanë bërë zgjedhjen, janë strehuar nën sqetullat e PS së Ramës, po jo të socialistëve” theksoi Manjani.

Sipas tij, as streha politike e Ramës dhe as imuniteti juridik i garantuar nga Prokuroria nuk mund t`i shpëtojë ata prej përgjegjësisë ligjore.
“Këta janë pjesë e skenarit të dhunës së 21 janarit dhe nëse i shpëtojnë prokurorisë nuk kanë shans t’i shpëtojnë drejtësisë. LSI denoncon sot edhe njëherë se dhuna që buron nga paratë e fëlliqura, është e papranueshme dhe e dënueshme. Ne nuk kemi punë me fatin personal e politik të askujt, por kërkojmë si LSI që organizatorët e dhunës së 21 janarit duhet t`i kërkojnë ndjesë shqiptarëve që i mashtruan duke i konfrontuar me forcat e sigurisë kombëtare ” shtoi ai.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›