E Diel, 1 Nëntor 2026

Arvizu i përgjigjet Berishës: Nuk kam axhendë personale

Krisja e marrëdhënieve, Berisha shpërfill ambasadorin Arvizu

Arvizu BerishaDuke përdorur tonet diplomatike ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, i ka kthyer përgjigje sulmeve të kryeministrit Berisha për një axhendë të tij personale.
Deklarata
Nuk kam një axhendë personale në Shqipëri, vij për ti shërbyer qeverisë amerikane dhe vendit tim, ka deklaruar ambasadori amerikan, vetëm pak çaste para se të kryente ceremoninë e betimit të 34 vullnetarëve të Korpusit të Paqes, në qytetin e Elbasanit. Duke iu drejtuar vullnetarëve, Arvizu i ka çuar një mesazh të qartë Berishës kur tha se tre vite më parë, edhe unë kam bërë të njëjtin betim kur u emërova nga Shtëpia e Bardhë për të shërbyer në Shqipëri dhe u emërova nga senati. Disa njerëz ndoshta do të dëgjojnë në këto zgjedhje që dikush ka një axhendë personale, unë nuk e kam një të tillë, dhe këta amerikanë të mrekullueshëm nuk e kanë gjithashtu. Ne jemi këtu për të përfaqësuar vendin tonë në mënyrën më të mirë të mundshme. Ky është përkushtimi ynë dhe premtimi për gjithsecilin prej jush, u shpreh diplomati i lartë amerikan.
Korpusi i Paqes
Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, ishte i pranishëm në betimin e 34 vullnetarëve të Korpusit të Paqes, në një ceremoni të organizuar në ambientet e teatrit Skampa të qytetit të Elbasanit, ku 34 vullnetarë të Korpusit Amerikan të Paqes bënë betimin zyrtar pas përfundimit të trajnimit. Nga dita e sotme ata do të nisin të punojnë pranë bashkive, organizatave komunitare, shkollave dhe qendrave shëndetësore në të gjithë vendin
Çfarë është Korpusi i Paqes
Në vitin 1961 John F. Kennedy krijoi Korpusin e Paqes për të nxitur paqen dhe miqësinë mes Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera. Por u desh një vit i tërë deri sa në gusht 1962, grupi i parë i vullnetarëve të Korpusit të Paqes të nisej për në Afrikë. Që atëherë, 200 mijë vullnetarë kanë shërbyer si punonjës shëndetësie, mësues dhe këshilltarë teknikë në shumë vende të botës.

Krisja e marrëdhënieve, Berisha shpërfill ambasadorin Arvizu
Marrëdhënia mes ambasadorit amerikan, Aleksandër Arvizu, dhe kryeministrit Berisha duket se ka marrë një krisje të fortë. Ky fakt u vu re mjaft qartë gjatë ditës së djeshme në Konferencën e sfidave dhe Sigurisë Detare në Adriatik dhe Jon, aktivitet i zhvilluar nga Ministria e Mbrojtjes, në bashkëpunim me ambasadën amerikane në Tiranë. Kamerat e televizionit A1Report kanë fiksuar momentin kur kryeministri Berisha ka mbërritur në sallë, dhe kur ai i ka dhënë ftohtë dorën ambasadorit, duke mos e parë as në sy atë. Ndërkohë që me ish-ministrin e Jashtëm italian, Franko Fratini, Berisha është takuar në mënyrë shumë të përzemërt, duke e përqafuar atë. Por duke mos u ndalur me kaq, Berisha ka mbajtur distancë edhe fizike ndaj Arvizusë, duke larguar ndjeshëm karrigen ndaj tij. Dhe si për të vënë vulën krisjes me tij me ambasadorin, në fund të takimit kur Arvizu ka pritur të përshëndetej me Berishë, ky i fundit ka bërë sikur nuk e ka vënë re, duke vazhduar bisedën me Fratinin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›