Tom Doshi dhe Shkëlzen Berisha akuzat në distancë
Shkëlzen Berisha: Je deputet pa diplomën e 8-vjeçares, do përballesh me drejtësinë
Tom Doshi: Berisha ka futur fëmijët sekserë, Shkëlzeni si zyra e punës
Gjatë një takimi me banorë të Velipojës, kandidati për deputet i Partisë Socialiste në këtë zonë, Tom Doshi lëshoi një sërë akuzash për kryeministrin Berisha dhe fëmijët e tij. E dini kush është Sali Berisha? Është hajduti më i madh që ka Shqipëria. Ky hajdut ka futur fëmijët e vet sekserë. Te Shkëlzeni është bërë si me kenë zyra e punës, zyra e tenderave, deklaroi Doshi. Por pas kësaj deklarate të Doshit reagoi menjëherë djali i kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha. Sipas tij deklaratat e Tom Doshit janë shpifje dhe për këtë do ti drejtohet gjykatës ndërsa shtoi se deputeti në fjalë ka diplomë universitare por i mungon diploma e 8-vjeçare. Ai ripërsëriti në Shkodër shpifje që kanë marrë jo një, por disa herë përgjigjen e drejtësisë. Të njëjtin fat do të kenë edhe këto akuza të ambalazhuara nga Rama dhe të mbllaçitur nga goja e ordinerit Tom Boshi, që Shkodra dhe e gjithë Shqipëria e njohin si deputeti që ka diplomë universiteti por i mungon ajo e shkollës tetë vjeçare. Shpifjeve pa pikë e presje, nuk i vunë dot shenjë pikësimi, as buzëqeshjet e Ramës, i cili ndihet keq dhe humb kontrollin mes studentëve dhe diplomatëve, por e gjen veten ngrohtë dhe të përmbushur në shoqërinë e doshëve, thuhet ndër të tjerash në reagimin e Shkëlzen Berishës.
Rama në Bushat: Do të marr fund homogjenia e PD-së në këtë zonë
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi një takim elektoral me simpatizantë të PS-së në Bushat të Shkodrës. Gjatë fjalës së tij, Rama tha se në këto zona të cilat janë bastion i PD-së në 23 qershor do të marr fund dominimi i demokratëve. Në këto territore që deri dje kanë qenë besnikërisht me PD, hegjemonia e tyre ka marrë fund dhe pushteti i tyre do të marrë votën e ndëshkimit për një rrënim të vazhdueshëm, që nuk mund të vazhdojë më. Sepse shqiptarët nuk mundet më të mbajnë në kurriz një pushtet i cili flet gjithë ditën për ta dhe punon gjithë ditën për vete. Një pushtet i cili premton dhe gënjen, premton dhe zhgënjen, premton dhe harron, tha Rama. Kreu i PS-së premtoi një rilindje në të gjithë vendin pas 23 qershorit.