E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arvizu këshillon kreun e ri të SHISH: Puno si Bahri Shaqiri!

Ambasadori amerikan në Tiranë takoi dje kreun e Partisë Socialiste, vizitë kjo që vijoi pas dy takimeve të mëparshme me presidentin Nishani dhe Kryeministrin Berisha. Në një prononcim për mediat, menjëherë pas takimit, Arvizu u shpreh për herë të parë për emërimin e kreut të ri të SHISH Visho Ajazi Lika, duke i bëri apel që të kujdeset për shërbimin informativ, ndërsa shtoi se ai duhet të ecë në rrugën e Bahri Shaqirit, njeriut që zëvendësoi. Arvizu theksoi se e vlerëson punë e ish-kreut të SHISH, Bahri Shaqirit, ndërsa vijoi duke thënë se shërbimi informativ i sotëm nuk ka më fytyrën e atij në vitet 90.
Qëndrimi i ambasadorit
Ambasadori u shpreh për mediat se do të takohet personalisht me kreun e sapozgjedhur të SHISH. Asnjë nuk duhet të jetë në një post publik për shumë kohë. U siguruam nga Berisha sot se marrëdhëniet do të vazhdojnë. Pres të takohem me kreun e ri të Shërbimit Informativ, tha ai. Nga ana tjetër ambasadori Arvizu tha se Për SHBA-në ka rëndësi që SHISH të vazhdojë funksionin e tij dhe jo marrëdhëniet e qeverive me personin që do e kryesojë atë. Për SHBA ka rëndësi që ai funksion të vazhdojë të kryhej detyrimet e tij në përputhje me NATO-n, deklaroi Arvizu. I pyetur në lidhje me pavarësinë e institucioneve dhe në veçanti mbi mandatin e prokurores së përgjithshme, Arvizu tha se është diçka që ndodh edhe në SHBA vendosja e njerëzve të besuar. Por e rëndësishme është kontrolli dhe balancimi i institucioneve”.

Arvizu te Nishani e Berisha

Presidenti i Republikës Bujar Nishani i ka dhënë garanci ambasadorit të SHBA, Aleksandër Arvizu në përpjekjet për pavarësi të institucioneve dhe gjyqtarë të përzgjedhur mbi sistemin e meritës. Shefi i diplomacisë amerikane ka ndërmarrë takime në Tiranë me krerët e shtetit dhe politikës vendase në prezantim të numrit dy të ambasadës amerikane, Henry V. Jardine, duke e nisur nga takimi me kreun e ri të Shtetit, takim që përbën edhe të parin mes tyre, pasi Bujar Nishani nisi zyrtarisht detyrën. Njoftimi zyrtar i Presidencës thotë se në përgjigje të interesimit të Ambasadorit Arvizu, presidenti Nishani tha se ndër prioritetet e presidencës së tij do të jenë pavarësia e sistemit gjyqësor dhe rritja e besimit të gjyqtarëve te sistemi i drejtësisë. Kreu i Shtetit u shpreh më tej, se promovimi i gjyqtarëve do të realizohet duke u bazuar në merita, nëpërmjet një procedure të hapur dhe transparente me kritere të përcaktuara qartë, vijon njoftimi zyrtar i Presidencës. Sipas njoftimit, ambasadori amerikan vlerësoi qasjen e Presidentit në lidhje me reformimin e sistemit të drejtësisë dhe fuqizimin e rolit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ambasadori Arvizu shprehu bindjen se Presidenti Nishani ka personalitetin dhe integritetin e duhur për të garantuar bashkëpunimin harmonik ndërinstitucional bazuar në pavarësinë dhe respektin e ndërsjellë ndërmjet institucioneve. Më pas, ambasadori amerikan u prit në takim nga kryeministri Sali Berisha. Njoftimi i kryeministrisë thotë se Kryeministri Berisha i uroi zotit Jardine mirëseardhjen në Shqipëri dhe suksese në detyrën e tij. Kryeministri Berisha ritheksoi angazhimin maksimal të qeverisë shqiptare që këto marrëdhënie të çohen përpara dhe të njohin zhvillime të mëtejshme pozitive për të dyja vendet, përfundon njoftimi zyrtar i Kryeministrisë.

Rama: S`kam asnjë besim te gjyqësori

Kryesocialisti Edi Rama ka lëshuar akuza në adresë të Presidentit Bujar Nishani, pas garancisë që Kreu i Shtetit i dha ambasadorit Arvizu për pavarësi të institucioneve. Duke reaguar në rrjetin social Twitter, pas njoftimit zyrtar të Presidencës për takimin, Kreu i selisë rozë tha se s`mund te promovojë pavarësinë e institucioneve një institucion qe varet nga qeveria, siç është Presidenca e Nishanit, një Ministri si të tjerat!. Ndërsa Presidenti Nishani siguroi për gjyqtarë të përzgjedhur mbi sistemin e meritës, Rama shkruan se nuk mund të ketë asnjë fije besimi në çka deklaron Presidenti, pasi s`mund të promovojë gjyqtarë të pavarur një President i varur kokë e këmbë nga Kryeministri!. Duke risjellë në vëmendje faktin se shkarkimi i SHISH zuri në befasi SHBA, Rama shkruan se s`mund të promovojë as shkëlqimin e marrëdhënieve me SHBA një President që përzgjedh drejtorin e SHISH pa asnjë konsultë me aleatin e madh!

Fiter Bajrami, Obama uron Nishanin:

Begati për popullin shqiptar!

 

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka marrë dje një mesazh urimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama me rastin e festës së Fiter Bajramit. “Ramazani shënon kohën kur familjet dhe bashkësitë festojnë së bashku në traditën e reflektimit, përkushtimit dhe shërbesës. Në emër të popullit amerikan, ju shpreh juve dhe mbarë popullit shqiptar urimet e mia më të mira teksa festoni Fiter Bajramin! Shpresoj që muaji i shenjtë i Ramazanit t’u sjellë të gjithë myslimanëve një periudhë ripërtëritjeje dhe ndarje të të mirave së bashku!
Uroj që ju dhe populli shqiptar të gëzoni lumturi dhe begati përgjatë vitit të ardhshëm!” – theksohet në mesazhin e urimit të presidentit amerikan drejtuar kreut të shtetit shqiptar.

Më 20 gusht, aplikimi për pasaporta

vetëm në sportelet me kohë të shpejtë

Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile njoftoi dje se kompania ALEAT e prodhimit të pasaportave biometrike, për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve që kanë nevoja emergjente, do të mbajë hapur ditën e hënë, më 20 gusht vetëm sportelet e aplikimit dhe ato të shpërndarjes në polici, për shërbimin me kohë të shpejtë. Në një deklaratë për shtyp të drejtorit të Përgjithshëm të DPGJC-së, Armand Teliti, sqarohet se kjo ndodh pasi ALEAT, ditën e hënë e ka ditë pushimi zyrtare, për shkak se festa e Bajramit të Madh bie të dielën, më 19 gusht. Ndërkohë njoftohet, se sportelet për shërbimin e zakonshëm do të jenë të mbyllura, ndërsa i gjithë shërbimi i pasaportave do të jetë i hapur normalisht ditën e martë, 21 gusht dhe në vijim. Po ashtu më datë 20 gusht, shërbimi shtetëror në zyrat e gjendjes civile do të jetë i hapur në oraret e zakonshme të punës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›