Arvizu takon fituesit: Tranzicioni të jetë sa më i butë
Ambasadori amerikan takon Ramën e Metën: SHBA janë partnerët tuaj
Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu zhvilloi dje një takim me dy përfaqësuesit e koalicionit fitues të zgjedhjeve, Edi Rama dhe Ilir Meta.
Takimi me Ramën
Rreth orës 11:00, ambasadori Arvizu i është drejtuar selisë socialiste ku është pritur nga kreu i PS-së, Edi Rama. Takimi mes Ramës dhe ambasadorit Arvizu zgjati përreth 45 minuta ndërkohë që pas përfundimit ambasadori amerikan bëri të ditur temën e bisedës me kryesocialistin Rama. Filluam një diskutim të mirë dhe substancial. Dy gjërat që diskutuam ishin që të kemi një tranzicion të lehtë të butë dhe e dyta, arsyeja se përse ndodhemi këtu që të ripohojmë dhe njëherë angazhimin e fortë të SHBA për Shqipërinë. Ky është mesazhi kyç, SHBA janë partner i Shqipërisë, tha ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu.
Takimi me Metën
Pas përfundimit të takimit me Edi Ramën, ambasadori Arvizu ka zhvilluar një takim me kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Gjatë takimi me Metën, ambasadori amerikan konfirmoi mbështetjen e SHBA-ve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian ndërsa konfirmoi edhe një herë rritjen e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe SHBA-ve. Arsyeja pse ndodhemi këtu është që të konfirmojmë të ardhmen demokratike të Shqipërisë dhe mbështetjen për në Bashkimin Evropian. Sikurse janë në pritje për qeverinë e ardhshme, pritjet janë të larta, presim një tranzicion të qetë dhe pres me kënaqësi të bashkëpunoj me z. Meta dhe anëtarët e tjerë të koalicionit, u shpreh ambasadori Arvizu. Nga ana e tij kreu i LSI garantoi se Shqipëria do të vijojë marrëdhëniet e mira me SHBA dhe konsensusin e gjerë me qëllim, realizimin e reformave. “Do të vijojmë bashkëpunimin me SHBA-në, me prioritetet që ne kemi për vendin tonë, por edhe për SHBA-në, sidomos në drejtimin e forcimit të ligjeve dhe pavarësinë e institucioneve. Do të bashkëpunojmë në prioritetet kryesore që ne kemi për vendin tonë, por edhe SHBA-të, si aleati ynë strategjik, kanë për Shqipërinë, edhe si vend anëtar i NATO-s, sidomos në drejtim të forcimit të ligjit dhe të pavarësisë së institucioneve, të një fryme të re bashkëpunimi në të gjithë jetën politike, por edhe në të gjithë shoqërinë tonë, për të krijuar një konsensus sa më të gjerë për përmbushjen e të gjitha reformave, të cilat do të përshpejtojnë integrimin evropian të Shqipërisë”, deklaroi Ilir Meta.