Meta: Duhet të justifikojmë votën plebishitare të 23 qershorit
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta në një intervistë të dhënë për Vizion Plus, shprehet se rezultati i LSI-së në këto zgjedhje erdhi falë kontributit të LSI-së si një forcë politike bashkëpunuese dhe si një faktor stabiliteti. Mendoj se arsyeja kryesore pse ne kemi arritur një rezultat shumë të mirë por të pritshëm nga ana jonë dhe të deklaruar paraprakisht ka të bëjë në radhë të parë me faktin se qytetarët shqiptarë, përtej angazhimit të anëtarëve dhe simpatizantëve tanë të mrekullueshëm, kanë vlerësuar LSI-në si një faktor stabiliteti, bashkëpunimi, integrimi në radhë të parë. Së dyti kanë perceptuar drejtë mesazhet tona kryesore për ekonominë, për punësimin dhe për prioritetet për të gjithë ristrukturimin e ekonomisë së vendit. Sigurisht që një faktor shumë i rëndësishëm është edhe puna e jashtëzakonshme e strukturave të LSI-së në të gjithë vendin dhe në mënyrë të veçantë e Lëvizjes Rinore për Integrim dhe përkrahja e të rinjve dhe të rejave, sidomos votuesve për herë të parë, shprehet Meta. Sipas Metës maxhoranca e ardhshme duhet të justifikojë vitin plebishitare të cilën i besuan votuesit shqiptarë. Ende jemi në fazat e përmbylljes së gjithë procesit. Vetëm dje ka përfunduar numërimi ndërkohë që procesi nga ana ligjore ka atë vijueshmërinë e vet normale dhe të gjithë palët kanë të drejtën dhe detyrën që ta ndjekin atë deri në fund. Kështu që është tepër herët për të folur për të ardhmen. Aktualisht jemi duke lexuar sa më qartë dhe me përgjegjësi mesazhin e kësaj vote, në mënyrë që ta administrojmë atë në mënyrën më qytetare, më civile dhe natyrisht edhe në mënyrën më të përgjegjshme, tha Meta. Lidhur me dorëheqjen e Sali Berishës nga Partia Demokratike, kreu i LSI-së e cilësoi atë si një akt civil dhe tepër normal i cili duhet të ndodhte.