Arvizu:Presim të shohim konkurrencë më 8 maj
Duke konfirmuar mbështetjen për mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 8 maj, siç është dekretuar prej kreut të shtetit, Bamir Topi, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksander Arvizu, njoftoi dje dhënien e 360,000 dollarëve ndihmë për shoqërinë civile, fonde që do të përdoren për monitorimin e zgjedhjeve vendore. Në ceremoninë e djeshme, ku ishin të pranishëm përfaqësues të shoqërisë civile dhe medias, Ambasadori vuri në dukje rëndësinë e ushtrimit të së drejtës së votës, teksa prezantoi ndihmën amerikane. “Çdo person ka një votë për të dhënë. Nëse ju quheni Sali Berisha keni një votë, Edi Rama një votë, Ina Rama një votë…Luan Rama një votë (megjithëse më duket se ka dy Luan Rama këtu). Çdokush ka një votë dhe çdo votë ka vlerë, ashtu si edhe të gjithë të tjerëve që Shqipëria të ecë përpara. Këto zgjedhje janë të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë dhe ja pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të japin fonde për to”, theksoi diplomati amerikan. Është po ashtu me rëndësi për ata që përfaqësojnë pikëpamje të ndryshme politike, shtoi ambasadori, që t’iu japin votuesve shqiptarë një mundësi zgjedhjeje, që të mund të bëjnë një zgjedhje. “Këto zgjedhje kanë të bëjnë me të ardhmen e Shqipërisë”, ngulmoi Arvizu. Financimi ofrohet nga Sektori i Marrëdhënieve Publike i Ambasadës dhe Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), të cilat kanë vënë në dispozicion fonde për të ndihmuar një “koalicion të vëzhguesve vendas”. Koalicioni i organizatave joqeveritare do të monitorojë të gjithë procesin e zgjedhjeve. Koalicioni do të ofrojë edhe edukim të votuesve. Duke iu drejtuar koalicionit vendas për vëzhgimin e zgjedhjeve, Ambasadori nënvizoi se “vëzhgimi i zgjedhjeve është pjesë kryesore e ditës së zgjedhjeve dhe ndihmon që të ketë zgjedhje të besueshme. Dëshiroj t’ju uroj sukseset më të mira dhe ju kërkoj që detyrën e vëzhguesit të zgjedhjeve ta merrni me seriozitet dhe integritet. Puna juaj do të jetë e shumë rëndësishme, për të kontribuar që këto zgjedhje të jenë të suksesshme dhe që ato të përfaqësojnë vullnetin e popullit shqiptar”. Programi i Granteve të Vogla për Demokracinë, i cili administrohet nga Sektori i Marrëdhënieve Publike i Ambasadës, do të sigurojë afro 160,000 të të gjithë fondit. Këto fonde do të mbulojnë koston e monitorimit dhe edukimit të votuesve, si dhe veprimtari të tjera shtesë. USAID do të kontribuojë 200,000 për të ofruar trajnim për vëzhguesit e zgjedhjeve si dhe një këshilltar ndërkombëtar trajnimi për të punuar me grupet vendase. “Këto zgjedhje vendore janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë. Ne presim që të shohim konkurrencë dhe një fushatë të besueshme. Zhvillimi i fushatës është pjesë e sistemit demokratik dhe ato janë të nevojshme. Qytetarët duhet të dëgjojnë atë që thonë politikanët dhe të marrin vendimet e tyre”, deklaroi Arvizu. Pak ditë më parë, Ambasadori amerikan deklaroi se “Ju keni dëgjuar shumë politikën dhe përplasjet e saj. Disa herë jam ndier i frustruar kur i kam dëgjuar, por unë besoj dhe dua të besoj se, pavarësisht në cilën anë jemi, ata me mënyrën e tyre duan ta bëjnë Shqipërinë më të mirë, sipas formës së tyre dhe për njerëzit e tyre”, theksoi ai. D.M.