Hyrja në zgjedhje, zëvendësi i Klintonit negociator për të bindur PS
Diplomacia amerikane duket se ka marrë përsipër të bindë Partinë Socialiste të futet në zgjedhjet lokale të 8 majit, ashtu sikurse t’i japë mbështetje të plotë Prokurorisë dhe institucioneve të pavarura. Të premten pritet të mbërrijë në kryeqytetin shqiptar zëvendës/sekretari amerikan i shtetit, James B. Steinberg së bashku me zëvendës/ndihmës sekretarin e shtetit për Europën dhe Azinë, Tom Kantrimen. Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar se zëvendësi i Hillari Klinton do të kryejë një tur vizitash në Armëni, Gjeorgji, Azerbajxhan, Shqipëri dhe Bosnje Hercegovinë. Ky mision ka nisur ditën e djeshme dhe pritet të mbyllet në datën 26 shkurt, ndërsa gjatë takimeve në të tre vendet e Kaukazit, Steinberg do të shoqërohet prej ndihmës sekretarit të shtetit Philip H.Gordon. “Ata do të takojnë liderët lokale dhe do të diskutojmë për çështjet e sigurisë dhe bashkëpunimit reciprok. Ata do të takojmë edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe medias në secilin vend”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Shtetit. Në Shqipëri dhe Bosnje Hercegovinë, Tom Kantrimen do të shoqërojë zyrtarin e lartë amerikan dhe siç thuhet në njoftimin zyrtar, dy do të jetë temat e diskutimit. “Do të ritheksohet rëndësia e zgjedhjeve lokale për zgjidhjen e ngërçit politik dhe do të ritheksohet roli i Prokurores së Përgjithshme në hetimet e ngjarjes së 21 Janarit”. Burimet diplomatike sqarojnë se diplomatët amerikanë do të bëjnë një presion të konsiderueshëm ndaj opozitës, për ta bindur të bëhet pjesë e zgjedhjeve të 8 majit, ndërsa do të tentojnë të relaksojnë marrëdhëniet midis mazhorancës dhe opozitës. Zyrtarët amerikanë do të zhvillojnë takime me autoritetet më të larta të shtetit shqiptar, ndërsa pritet që të ndihmojnë për gjetjen e një zgjidhjeje që do të garantonte sa më shumë transparencë për zgjedhjet e pushtetit lokal. Në këtë linjë nuk mohohet mundësia që të ketë një ndërmjetësim për të plotësuar kërkesat e opozitës sa i takon transparencës dhe garancisë së procesit zgjedhor të 8 Majit. Në këtë linjë është edhe financimi i një shume të konsiderueshme parash, për monitorimin e procesit zgjedhor. Ndërkohë Kryeprokurorja Ina Rama do të marrë një mbështetje të fortë për punën e saj, në zbardhjen e ngjarjeve të 21 janarit 2011. Kjo do të jetë hera e tretë brenda pesë muajsh, që zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës vizitojnë Tiranën në një përpjekje, për t’i dhënë zgjidhje situatës së krijuar. Më 20 tetor të vitit 2010 ishte zv.ndihmës/sekretari amerikan i shtetit për Europën dhe Azinë, Tom Kantrimen, ai që vizitoi kryeqytetin tonë duke dhënë mesazhet e një zgjidhjeje politike. I njëjti diplomat vizitoi Tiranën edhe më 9 shkurt, ku zhvilloi takime me Presidentin Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e opozitës Edi Rama. Vizita e së premtes do të jetë e treta në pesë muaj dhe e dyta brenda muajit për Kantrimen, ndërsa tanimë angazhimi është i një niveli edhe më të lartë. Partia Socialiste tanimë ka artikuluar tre kushte publike, për t’u bërë pjesë e procesit zgjedhor të 8 majit. Së pari, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste ka përmendur listat e besueshme zgjedhore. Kushti i dytë i deklaruar ka të bëjë me kartat e identitetit, pasi opozita pretendon se janë prodhuar karta false. PS kërkon garanci që votuesit shqiptarë do votojnë sipas parimit, çdo votues një votë. Kushti i tretë ka të bëjë me riformatimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si institucion që administron procesin zgjedhor. D.Malaj