E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Amendojmë Kushtetutën vetëm për imunitetin e deputetit

TIRANË- Ndryshe nga kushtet e opozitës, Kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar dje në mbledhjen e qeverisë se nuk mund të ketë ndryshime kushtetuese, përveçse për një çështje, që lidhet me imunitetin e deputetit. Në deklaratën e tij, në fillim të mbledhjes së qeverisë, Berisha shigjetoi indirekt edhe Presidentin e Republikës se nuk mund të ketë ndryshime kushtetuese, qoftë për një formulë të re të KQZ-së, qoftë edhe për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit. “E theksova në parlament dhe e theksoj sërish, në rast se opozita është vërtet e interesuar për kufizimin e imunitetit, të sjellë propozimet për të amenduar Kushtetutën për këtë çështje. Natyrisht, nuk e ka me seriozitet se prapa këtij propozimi fshihen disa propozime të tjera, të lidhura me datën 21 janar, para dhe pas saj, të cilat janë të pashpresa, fshihen disa lloj ndryshimesh të tjera në Kushtetutë, të cilat nuk do mund të ndodhin ndonjëherë. Por, në rast se duan të bëhen të sinqertë, ne e mirëpresim”,- tha dje Berisha. Kryeministri Berisha dha një përgjigje edhe për rolin e Topit si kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kreu i ekzekutivit solli në vëmendje konkluzionet e raportit të KE-së për ekzistencën e problemeve serioze në procedurat e emërimit, transferimit dhe shkarkimit të gjykatësve dhe prokurorëve. Në këtë kontekst, Kryeministri konsideroi të domosdoshme përcaktimin e kritereve në emërimin, transferimin, shkarkimin e gjykatësve dhe prokurorëve, duke kërkuar për këtë çështje angazhimin e përbashkët të ekspertëve shqiptarë me ekipin e Bashkimit Europian, që asiston reformën ligjore në vend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›