E Shtunë, 31 Tetor 2026

As mos e mendo, kauboj!

Nga Fadil Lepaja

Christopher William Dell nuk u mjaftua të ishte vetëm kryediplomat në këtë vend, por ai u fut thellë edhe në politikë. Gati drejtpërdrejt! Anoi haptazi, negocioi koalicione, emëroi e shkarkoi… bëri çka deshi vetë!

Në Ballkan përsëritet një fjalë e urtë popullore, e cila ka kuptim të thellë, sa filozofik aq edhe strategjik. Uji ecë, gurët mbesin! Kush po shkon e kush po mbetet?

Pasi mori dekorata dhe mirënjohje nga të gjithë ata që i kishte sjellë në pushtet, ose i kishte fuqizuar drejtpërdrejt apo tërthorazi, shkëlqesia e tij, ish-ambasadori i SHBA në Kosovë, Christopher William Dell, po shkon. Për dikë vetëm Kris, për dikë Dell, sidoqoftë me paraqitjet dhe veprimet e veta pak kë e la indiferent, sidomos shoqërinë civile dhe publicistët.

Kishte kaluar mjaft kohë prej se një diplomat të krijonte aq shumë turbulenca në një vend aq të vogël, si Kosova, ku avionët e NATO-s asnjëherë nuk arrijnë të zhvillojnë shpejtësinë dhe mezi arrijnë të marrin kthesën për të mos e kaluar kufirin. Kufirin problematik!

Ai nuk u mjaftua të ishte vetëm kryediplomat në këtë vend, por ai u fut thellë edhe në politikë. Gati drejtpërdrejt! Anoi haptazi, negocioi koalicione, emëroi e shkarkoi… bëri çka deshi vetë!

Por, po duket se po shkon qartaqefas, i kontestuar, sepse mekanizmat dhe metodat e veprimit të tij për pjesën kritike të shoqërisë ishin krejtësisht të dyshimta si korruptive, antidemokratike dhe, në fund të fundit, joefektive, sepse në vend se të zgjidhnin problemet, ato u bënë vetë problemi.

Por, ai, për dallim prej të gjithë të tjerëve, u lëshua edhe në polemika të drejtpërdrejta duke faktorizuar pjesën kritike të shoqërisë. Ndërkohë që duke i përdorur metodat pak a shumë komuniste të diskreditimit dhe ekskomunikimit, ai u përpoq të defaktorizojë të gjithë ata që nuk dëgjonin hirësinë e tij. Publikisht, denjoi të futej në luftë vetëm me një antiamerikan me përkrahje tashmë të dëshmuar amerikane, qoftë përmes donacioneve, qoftë përmes kontakteve të niveleve serioze të cilat i mban ai. Provoi edhe me Fisin, por… vetëm bëri reklamë për The Pimpsons.

Të kthehemi, te i pari! Para se të shkojë, shkëlqesia e tij, Christopher William Dell, bëri hakmarrje të pazakonshme publike ndaj tij. Përmes një sulmi ad hominem, që do të përdoret si rast shkollor në kurset tona të gazetarisë, ku do të mësohet se si mund ta devalvosh një personalitet dhe ambiciet e tij krejtësisht legjitime duke përdorur retorikën spekulative.

Pra, z. Dell po shkon! A ishte ai magjistari prapa perdes, i cili në ekstazë harrohej fare dhe dilte në skenë bashkë me mikrofonin? E kumbonte, kumbonte. Na bëri magji?!

Apo, ishte vetëm një rrotëz e vogël në mekanizmin global diplomatik të SHBA-së. Krejtësisht e vogël për ambiciet e tij. Mijëra diplomatë, të cilët Sekretarja e Shtetit gjithsesi as nuk arrin ti mbajë në mend me emër, e sjellin mekanizmin e fuqishëm global të superfuqisë së vetme, e cila ishte dhe mbetet mburoja jonë kryesore. Duket stresuese të jesh me ambicie të mëdha, e të mbetesh vetëm një rrotëz e vogël.

Por, kjo rrotëz e vogël, e quajtur Christopher William Dell, te ne mori përmasa gjigante. Nëpër ekranet e dirigjuara, shkopi magjik i i tij merrte mendtë dhe thyente kokat publike. Ai e heshtte opozitën me një të tundur shkopi, me një të sharë me antiamerikan!

Ka që mendojnë se Ai nuk mundi të përballonte emocionet e fuqishme popullore ndaj SHBA-së, por vendosi ti (keq)përdor ato për promovim personal dhe grupor. Kjo e bënte atë të mos dukej ai që ishte, një rrotëz e vogël e një aparati gjigant diplomatik, por të merrte edhe përmasa të cilat, për shumëkënd, ai nuk arriti ti përballonte me dinjitet.

Por, z. Dell po shkon! Amerika mbetet ndër ne! Vetëm kështu, pa pasur nevojë për ndonjë fakt shtesë, po e kuptojmë të gjithë ne edhe ata që pohonin ndryshe andej dhe këndej vijës së kuqe qeveritare, se Dell-i dhe SHBA nuk qenkan një. Ai ishte vetëm një rrotëz e vogël, e cila në vendin kurrkund e përfaqësonte një fuqi të madhe. Rrotëza e vogël, e cila nga ambicia dhe kushedi çka tjetër filloi të sillej krye më vete!

Edhe pas shkuarjes së tij teatrale, flamuri i SHBA valon dhe do të valojë po aq krenar në Ambasadën Amerikane dhe në të gjitha organizatat amerikane në këtë vend. Madje, si askund tjetër në botë, flamuri amerikan shihet edhe në tavolinat e në zyrat e të gjithë zyrtarëve kryesorë në këtë vend. Edhe në festat tona popullore. Zoti edhe Amerika, thonë njerëzit tanë!

Por, para se të shkojë, Ai i la edhe një letër përshëndetëse personit i cili guxoi të pretendojë postin e presidentit, kur atë e qitën në pazar. Kur këta e zhvilluan lojën e famshme: Ky bën, ky nuk bën! Me sms-a, apo me zarfe!

Në këtë letër, z. Dell, pasi e përmend grantin njëmilionësh prej SHBA, e akuzoi pretenduesin, krejtësisht të ligjshëm për president, se kishte bërë sulm ad hominem ndaj tij. Dell-i i mirë! Më në fund, shfletoi edhe literaturën elementare të retorikës, por prapë me mendjemadhësinë e diplomatit që identifikohet me vendin e fuqishëm që përfaqëson, harroi se pikërisht ai që nga fillimi kishte përdorur një sulm ad homminem të pastër me atë zvarritjen e pretenduar në rezidencën e tij, apo me etiketat për antiamerikanizëm.

Ai dhe figurinat e tij të dyllta politike, kishin përdorur kryesisht ad homminem të pastër ndaj opozitës duke i eliminuar të gjitha kritikat e tyre me akuzat për antiamerikanizëm apo për antikombtarizëm. Kush përmendte vjedhjet rreth autostradës ai ishte kundër autostradës!Kuptohet, edhe antikombëtarë. Kush nuk pajtohej me Dell-in, ishte antiamerikan.

Sipas kësaj, më së shumti antiamerikan paska në vet SHBA, sepse gati gjysma e popullatës, nëpër anketat e ndryshme nuk pajtohet me presidentin Obama. Por ku Presidenti Obama, e ku z. Dell. Me Presidentin Obama mund edhe të mos pajtohesh, pa ndonjë rrezik me të shpallë antiamerikan. Por jo edhe me shkëlqesinë e tijë, ish-ambasadorin e SHBA në Kosovë, z. Christopher William Dell!

Kushdo që nuk pajtohej me të, ose me kryeministrin, gjithsesi fitonte një etiketë , diçka me anti.

Ai, në letër lamtumire, harroi të përmend se, në fakt, argumentimet e formës Ad hominem e Ad popullum ishin kulmi i mjeshtërisë retorike të tij dhe të qeverisë të cilën ai e paketonte si një hamburger!

E kur jemi te zvarritja, a nuk qenkan zvarritur të tjerët? Sepse duhej dikush tjetër… sepse Hashimi paska reputacion të keq te ndërkombëtarët? E, përse Dell-i e përkrahte aq fuqishëm një personalitet i cili paska reputacion të keq te ndërkombëtarët? Kishte ndonjë interes tjetër? Pyetjet mund të marrin përgjigje me kundërpye

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›