Me kolapsin e Assad-it, Irani humbet betejën më të madhe kundër Izraelit
Rrëzimi i regjimit të presidentit sirian, Bashar Al- Assad, do të marrë me vete në abisin ku kanë rënë diktatorët e tjerë arabë, edhe strategjinë e deri më tani ndjekur nga Irani kundër Izraelit, pasi ashtu siç do të shihet së shpejti, impakti që do të sjellë kapitullimi i Assad-it nuk do t’i shtrije efektet vetëm brenda Sirisë, por në të gjithë Lindjen e Mesme, ashtu siç ka ndodhur shpesh gjatë historisë së këtij rajoni.
Pas luftës arabe-izraelite të 1973 dhe atë të Libanit të vitin 1982, në vitin 1990, babai i presidentit aktual, Hafez Al-Asad, pranoi të qëndronte në status-quon e një luftë të heshtur me Izraelin, pra pushoi së bëri një luftë të hapur me Izraelin, megjithëse e sulmonte atë nëpërmjet demagogjisë. Këtë status-quo nuk e prishi as i biri, Bashar. Por, megjithatë, duhet theksuar se kjo luftë, nuk ishte dhe aq e heshtur, por kishte “pëshpërima” që qarkullonin midis Iranit, Sirisë, Hezbollahut dhe Hamasit. Irani dhe Siria, kanë një “histori dashurie” të gjatë mes tyre, pasi me revolucion islamik, Irani bëri një konfigurim të ri në marrëdhëniet me jashtë. Ayatollah Khomeini, duke deklaruar se “koncepti i monarkisë bie ndesh me Islamin”, shkatërroi komplet marrëdhëniet e krisura me shumë vende arabe monarkike. Siria, ka qenë shtetit i vetëm arab që ka mbështetur Iranin në luftën e saj me Irakun në vitet 1980-88, dhe nuk ka lejuar që dallimet ideologjike me Teheranin të pengojnë interesin e tyre të përbashkët për të “përkëdhelur” dhe mbështetur Hezbollahun. Të dy vendet e vlerësojnë grupin militant- i cili është në listën e zezë të Perëndimit si grup terrorist- si një fraksion besnik ndaj revolucionit islamik, dhe kanë shprehur admirim për rezistencën e tij kundër Izraelit dhe ndërhyrjes perëndimore në Liban në fillim të viteve 1980. Falë pozicionit të saj gjeografik, në sytë e Iranit, Siria përbën frontin më të rëndësishëm strategjik në luftën e tij kundër Izraelit dhe SHBA-së, ku vlen për t’u nënvizuar dhe aksesi që i mundësohet Teheranit në Mesdhe falë porteve siriane. Por, protagonizmi sirian në luftën e Iranit kundër Izraelit konsiston në një rol mjaft të rëndësishëm, atë të një korridori ku kalojnë ndihmat ushtarake dhe financiare, nga Irani tek Hezbollah-u në Liban, e nga Hezbollahu tek Hamasi në Rripin e Gazës. Këtë protagonizëm të shtetit sirian, e ka pohuar vetë lideri i Hezbollahu-t, gjatë një fjalimi të mbajtur në Bejrut. "Siria është një rrugë për rezistencë dhe një urë komunikimi mes rezistencës dhe Iranit," duke shtuar se “Siria i ka dërguar raketa Hezbollahut në vitin 2006, gjatë luftës me Izraelin dhe ka furnizuar gjithashtu Hamasin në Rripin e Gazës”. Por, ngjarjet e fundit në Siri, vrasja e ministrit të Mbrojtjes dhe zv/ministrit-ky i fundit ishte kunati i Assad-it- dhe intensifikimit të luftës së opozitarëve në dy qytetet kryesor të Sirisë, Damask dhe Alepo, kanë prishur disi përbërjen e aleancës. Hamasi e ka braktisur regjimin sirian, duke inatosur kështu, jo vetëm Assad-in, por edhe Iranin dhe Hezbollahut, të cilët u është kallur data nga rrëzimi i afërt i presidentit Bashar Al- Assad. Në fakt, distancimi i Hamasit nga Assad-it, është një shprehje e sosjes së durimit dhe frustrimit të sunitëve sirianë ndaj regjimit sirian. Sistemi i “klasave” fetare në Siri, është mjaft interesant. Alavitët, të cilët përbëjnë 12 % të popullsisë, sundojnë vendin duke u ulur në karriget e posteve më të rëndësishme. 80% e posteve të larta në ushtri, në administratën shtetërore, në shërbimet sekrete kontrollohen nga alavitët. Sunitët, gjithmonë kanë qëndruar nën hijen e dinastisë së Assad-ëve dhe alavitëve. Në Siri, thuhet se kur një ushtar sunit vihet në shërbim roje, ka gjithmonë një ushtar alavit, i cili caktohet për të montuar ushtarët sunitë. Por tani, duke qenë dëshmitarë të prag-kolapsit të Assad-it, ata po e braktisin këtë të fundit. Shumica e ushtarëve, oficerëve dhe gjeneralëve që kanë dezertuar kanë qenë sunitë. Por, edhe ata sunitë të cilët po luftojnë përkrah Assad-it, bëjnë një dezertim të heshtur. Gjatë një interviste me gazetarin dhe analistin e shquar, Fared Zakaraia, një ish-marins amerikan, Austine Tice, ka raportuar se gjatë një episodi në me një grup rebel, ai vuri se disa helikopterë të regjimit fluturonin shumë lartë, aq lart saqë nuk mund të qëllonin asnjë raketë. Supozimet që u krijuan nga ky fluturim i çuditshëm i këtyre helikopterëve në mesin e rebelëve, thotë Tice, ishte se pilotët dhe ushtarët sunitë nuk po i godisnin me qëllim objektivat e tyre. Kësisoj, Hamasi, si një fraksion sunit, duket se i ka hedhur sytë tek një e ardhme pa Assad-in, ku do të mund të qeverisin sunitët.
Fuqizimi i sunitëve në Siri, po shihet si një muzë për sunitët e Libanit, habitati i Hezbollahut. Në Liban, përplasjet mes fraksione politike kundër dhe pro Assad-it tani kanë hyrë në muajin e dytë. Me rënien e regjimit sirian, Hezbollahu, si ushtar i frontit të parë të Iranit kundër Izraelit, do të jetë më pak i fuqishëm, duke marrë parasysh faktin se qeveria post-Assad-it do të jetë një qeveri me sytë nga Perëndimi, e nuk do të lejojë kalimin e armëve të Iranit tek ky grup terrorist. Por, problemet për Hezbollahun nuk mbarojnë me kaq. Me rebelimet e fundit të sunitëve në Liban, të cilët po ngrihen kundër Assad-it, Hezbollahu duhet të merret fillimisht me problemet “brenda shtëpisë”. Rrjedhimisht, me dobësimin e Hezbollahut dhe duke humbur aleatin e vetëm në rajon, si dhe frontin më të rëndësishëm strategjik kundër Izraelit, Sirinë, Irani humbet betejën më të madhe në luftën e tij kundër Izraelit dhe SHBA-së. Por profecia e keqe për Iranin nuk mbaron me kaq. I izoluar në rajon dhe botërisht, me sanksionet të cilat po rrënojnë ekonominë e shtetit islamik, me popullsinë e cila po vuan vazhdimisht shkelje të të drejtave të njeriut, Iranit do t’i vijë radha për t’u përfshirë nga uragani demokratik i Pranverës Arabe.