E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kardinali Santos Abril, delegat i Atit të Shenjtë për 950 vjetorin e dioqezës së Sapës

02-08-2012 / Gazeta 55

Me rastin e kremtimit 950 vjetorit të Dioqezës së Sapës, që do të mbahet me datë 29 shtator 2012 në Katedralen e kësaj Dioqeze, Ati i Shenjtë Papa Benedikti XVI ka caktuar të Deleguarin e tij të Posaçëm Hirësinë e Tij Kardinalin Santos Abril y Castelló, Kryeprifti i Bazilikës Papnore të Shën Marisë së Madhe në Romë. Dioqeza Katolike e Sapës, e cila aktualisht e ka qendrën në Laç të Vaut të Dejës, udhëhiqet nga Sh.T. imzot Lucjan Avgustini, aktualisht edhe Zëvendës President i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë. Dioqeza e lashtë shqiptare e Sapës vazhdon kremtimet për Vitin Jubilar të 950 vjetorit të themelimit të saj 1062-2012, përuruar më 5 janarin e këtij viti me kremtimin e Meshës së Shenjtë në Kishën Katedrale të së Lumes Nënë Terezë në Vau-Dejës.
Fragment nga homelia e ipeshkvit të Sapës imzot Lucjan Avgustini me rastin e përurimit të Vitit Jubilar në Katedralen e Vau-Dejës më 5 janar 2012
“Çdo strukturë, institucion, send apo njeri e ka një zanafillë që përcakton moshën ose vjetërsinë e saj. Ndër krahasimet që zakonisht përdoren për të treguar themelimin në të kaluarën si mënyrë identifikimi në të sotmen, thonë: “jemi shumë të rinj dhe njëkohësisht të vjetër.” Epiteti “ I ri ” i atribuohet moshës së personit ose gjallërisë së tij apo të popullit që i përket, ndërsa “I vjetër” i atribuohet vendit ku banon ai dhe ku kanë banuar të parët e tij. Këto dy fjalë përshkruajnë vitalitetin dhe autoktoninë që do të thotë përshkruajnë jetën në tërësinë e plotë të saj. Kështu mund të themi edhe për jetën e Dioqezës së Sapës. Ajo është aq e re, aq sa edhe e vjetër. Duke iu referuar të dhënave në Annuario Ponteficio, të dhënat zyrtare të Kishës Katolike në botë, atëherë viti themelimit të dioqezës së Sapës është viti 1062. Në këtë vit të bekuar të Vitit të Zotit 2012 mbushen plotë 950 vjet të themelimit të saj. Qyteti i hershëm i Sapës është zhdukur nga faqja e dheut, kanë mbetur vetëm rrënojat e Kishës Katedrale të Shën Mihillit. Kjo për arsye të luftërave dhe pushtimeve që ka pësuar populli dhe vendi ynë. Në fillim e rrënuan tartarët rreth vitit 1240, pastaj më vonë osmanët por edhe fatkeqësitë natyrore, tërmetet. Por, selia ipeshkvnore e Sapës ka arritur të mbijetojë gjatë të gjitha vështirësive dhe ajo sot vazhdon jetën e saj, dhe po i mbush 950 vjet jete e besim në Krishtin Zot, duke i qëndruar besnik Zotit, Papës (Selisë Shenjte) dhe duke u vu në shërbim të besimtarëve për shëlbimin e shpirtrave. Kjo është Kisha e Krishtit e moçme në ekzistencën e saj dhe e re në veprim për të mirën dhe shpëtimin e njerëzimit”... ...Më lejoni, besimtarë të mi të dashur, që në këtë ditë të kujtimit të shugurimit ipeshkvnor së bashku me ju ta falënderoj të Madhin Zot për hirin që më ka dhuruar që më ka zgjedh për bari të kësaj dioqeze të Sapës, pasardhës i ipeshkvit martir Imzot Gjergj Volaj, moton e të cilit e kam zgjedhur edhe unë që të më udhëheq në punën time baritore “In virtyte Dei – Me ndihmën e Zotit” dhe që duke e kërkuar gjithmonë ndihmën dhe ndriçimin e tij këtë që po fillojmë të mundemi edhe ta kryejmë në nder dhe lavd të Madhit Zot dhe për shëlbimin e shpirtrave.
Uroj që secili duke ia filluar nga unë, meshtarët, rregulltarët dhe rregulltaret dhe i gjithë populli i Zotit të kemi një takim personal me Hyjin e mishëruar dhe ky takim të sjellë në jetë gëzim, shpresë dhe fuqinë e dëshmisë së besimit sikurse na kanë mësuar martirët dhe të parët tanë. AMEN"!
Papa në audiencën e përgjithshme: Sa më shumë lutemi, aq më shumë miqësohemi me Zotin/Benedikti XVI i rifilloi dje audiencat e përgjithshme, të ndërprera në muajin korrik. Papa iu drejtua besimtarëve nga sheshi para Pallatit Apostolik të Kastel Gandolfos, i rrethuar nga një atmosferë shumë festive. Ditën, kur Kisha përkujton Shën Alfons Maria de’ Liguorin, Ati i Shenjtë u ndalua posaçërisht tek vendi që zinte lutja në jetën e Shenjtit, themelues i Redemptoristëve. Njeriu duhet të lutet në çdo situatë të jetës, kujtoi Papa. Entuziazëm e ngrohtësi tejet e madhe, në hapësirën e vogël, ku u mblodhën sot besimtarët për rifillimin e takimeve të së mërkurës me Papën. E Sheshi i ngushtë i Lirisë në Kastel Gandolfo, të kujtonte Sheshin e gjerë të Shën Pjetrit në Vatikan. Edhe këtu, në qytezën laciale, Benedikti XVI u takua me besimtarë nga mbarë bota e vijoi ciklin e katekizmit, kushtuar lutjes. Papa e mori shtytjen nga festa liturgjike e Shën Alfons Maria de’ Liguorit, një nga figurat më popullore të Kishës në shekullin XVIII, e jo vetëm. Papa kujtoi një nga fjalët e urta të famshme të themeluesit të Redemptoristëve: “Kush lutet, shpëton; kush nuk lutet, dënohet”: “Duke kujtuar se lutja është mjet i nevojshëm, Shën Alfonsi dëshironte që të gjithë ta kuptonin se njeriu duhet të lutet në çdo situatë të jetës, posaçërisht në çaste provash e vështirësish. Duhet të trokasim përherë plot besim në portën e Zotit, duke e ditur mirëfilli se ai ka kujdes për gjithçka u nevojitet bijve të tij”.
E në vijim, Papa pohoi se Shenjti na nxit të kërkojmë çka është më e vërtetë e më e rëndësishme në jetë: “Më shumë se për çdo gjë tjetër, kemi nevojë për praninë e Tij çliruese, që e bën me të vërtetë njerëzore, e prej këndej, plot gëzim, jetën tonë”.
Vetëm përmes lutjes, pohoi me forcë Papa, mund ta presim Zotin në zemrën tonë njerëzore, mund të fitojmë hirin e tij, që na bën ta njohim të mirën e vërtetë. Çdo i krishterë, vijoi të shpjegonte Benedikti XVI, e di mirë ç’është tundimi, prej të cilit mund të shpëtojë vetëm duke i kërkuar ndihmë vetë Zotit: “Edhe ne, të vetëdijshëm për ligështinë tonë, duhet t’i lypim Zotit ndihmë përvujtërisht, plot besim në pasurinë e mëshirës së tij”. Papa kujtoi se edhe në një periudhë rreptësie, Shën Alfonsi i porosiste rrëfyesit ta mbarështonin Sakramentin e Pendesës, duke u kujtuar përqafimin gazmor të Hyjit i cili, në mëshirën e vet të pambaruar, nuk lodhet kurrë s’e prituri me krahë hapur çdo bir plangprishës, që rikthehet, i penduar, në krahët e Atit. Në gjurmët e Shën Agostinit, Papa kujtoi se Shën Alfonsi i fton gjithë të krishterët të mos kenë frikë nga Zoti, t’i lypin, me lutje, atë forcë që nuk e kanë e që është e nevojshme për të bërë mirë, të sigurtë se Zoti nuk ia mohon kurrë ndihmën njeriut, që i lutet me përvujtëri: “Të dashur miq, Shën Alfonsi na kujton se lidhja me Zotin është themelore për jetën tonë; pa lidhjen me Zotin mungon gjëja kryesore e lidhja me Zotin realizohet duke folur me Atë të Lumin në lutjen e përditshme personale e me pjesëmarrjen në Sakramente; e kështu kjo lidhje mund të forcohet e në shpirtin tonë mund të rritet prania hyjnore, që e drejton shtegun e jetës, e ndriçon, e bën të sigurtë e të qetë, edhe kur jemi të rrethuar nga pritat e rreziqet”.
Në çastin e përshëndetjeve drejtuar shtegtarëve, Papa kujtoi posaçërisht besimtarët e ardhur nga zonat e Emilia Romanjës e Lombardisë, dëmtuar rëndë nga tërmeti i kohëve të fundit.
Marrë nga Radio Vatikani

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›