Asambleja Kombëtare e PS,Rama: Shkodra u përmbyt nga marrëzia e pushtetit

Vijon punimet Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste. Përmbytjet në Shkodër dhe Lezhë përbëjnë pikën kryesore të diskutimeve në këtë asamble. Kreu i PS-së, Edi Rama tha se sot ka një arsye më shumë që të kërkohet largimi i qeverisë. Kryesocialisti deklaroi se shkak i përmbytjes në veri është keqqeverisja, dhe jo fatkeqësia natyrore. "Shkodrën nuk e përmbyti dora e Zotit, Shkodra u përmbyt nga marrëzia e pushtetit dhe parave", u shpreh Rama.
Ai pohoi se përmbytjet tmerruan një popull të tërë, ndërkohë që kreu i qeverisë në vend që të largonte ministrin Prifti, falenderonte atë dhe ministrat e tjerë për menaxhimin e situatës. Sipas Ramës, pas grabitjes së zgjedhjeve, strukjes së Prokurorisë dhe Gjykatës nga frika, cënimit të lirisë së medias, së ekonomisë, pas shpalljes së opozitës si aleancë puniste mafioze nuk ka asnjë arsye tjetër që opozita të mos dalë në protestë dhe mos heshtë më.
Kreu i Asamblesë së PS-së, Gramoz Ruçi deklaroi se përmbytjet në Lezhë e Shkodër nuk u shkaktuan nga moti, por nga qeverisja e Berishës. "Përmbytja u shkaktua jo nga moti, por nga papërgjegjësia e qeverisë ", pohoi Ruçi. Ai tha se PS solidarizohet me të dëmtuarit nga përmbytjet. Sipas tij, deputetët e PS-së dhanë një kontribut të çmuar ne Shkodër.
Deputeti i PS-së, Ben Blushi ka kërkuar që në Asamble pas përmbytjeve të diskutohet edhe bojkoti që deputetët e PS-së i kanë bërë Kuvendit. Sipas tij, Partia Socialiste duhet të bëjë një analizës për 6 muajt e fundit. "Duhet të bëjmë një bilanc të 6 muajve të fundit dhe të marrim një vendim kur arsyet për të bojkotuar parlamentin nuk janë më të justifikueshme", u shpreh Blushi.
Erjon Braçe, pohoi se katastrofa në veri erdhi prej shtetit. Ai ka publikuar fakte që sipas tij vërtetojnë se përmbytjet erdhën si pasojë e keqqeverisjes. "Materiali që po publikojmë jep përgjigje për katastrofën. Përmbytjet erdhën nga derdhjet e HEC-eve", pohoi ai. Sipas Braçes në 20 dhjetor nisi grumbullimi i ujit në Fierzë për qëllime biznesi. Më 23, 24, 25 dhjetor sipas tij prurjet në Fierzë janë dyfishuar dhe për pasojë niveli u rrit me 1 metër.
Erjon Braçe deklaroi se nga 27-dhjetori deri më 3 janar ka pasur derdhje në tre HEC-e që kanë arritur deri në 1,3 miliardë metër ujë.
Sipas Braçes në dhjetor kuota e Fierzës ka arritur në 286.7 metra, dhe në këtë kohë duhet të ishte formuar komision i posaçëm për menaxhimin e situatës.
Deputeti i PS-së shtoi se në 31 dhjetor Fierza del jashtë kontrollit dhe arrin 293 metra. "Por atë ditë ministri Prifti ishte jashtë shtetit. Ministri fluturonte, Shkodra notonte. Përsëri nuk u formua komisioni i posaçëm", tha ai.
Erjon Braçe ka pohuar se të gjitha të dhënat për 27 dhjetorin janë zhdukuar nga sistemi. "Zhdukja dyshohet të jetë bërë për falsifikimin e të dhënave. Por ne kemi informacione se kuota në HEC-in e Fierzës në këtë datë ka arritur në
288.91 m", argumentoi ai. Sipas Braçes për këtë ditë është lënë shënim nga kryeministri që portat e hidrocentraleve nuk duhet të hapen.
Braçe tha se veprimet për menaxhimin e nivelit të ujit në Fierzë e Koman ranë në kundërshtim me rregulloren.
Deputeti i PS-së, Ilir Beqja ka kërkuar të tregohen arsyet se pse janë zhdukur të dhënat për HEC-et në datën 27 dhejtor. Beqja pohoi se përmbytjet nuk erdhën nga shiu, por nga qeveria.
"Vijon"