Asambleja Kombëtare e PS, Rama: Shkodra u përmbyt nga marrëzia e pushtetit

Vijon punimet Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste. Përmbytjet në Shkodër dhe Lezhë përbëjnë pikën kryesore të diskutimeve në këtë asamble. Kreu i PS-së, Edi Rama tha se sot ka një arsye më shumë që të kërkohet largimi i qeverisë. Kryesocialisti deklaroi se shkak i përmbytjes në veri është keqqeverisja, dhe jo fatkeqësia natyrore. "Shkodrën nuk e përmbyti dora e Zotit, Shkodra u përmbyt nga marrëzia e pushtetit dhe parave", u shpreh Rama.
Ai pohoi se përmbytjet tmerruan një popull të tërë, ndërkohë që kreu i qeverisë në vend që të largonte ministrin Prifti, falenderonte atë dhe ministrat e tjerë për menaxhimin e situatës. Sipas Ramës, pas grabitjes së zgjedhjeve, strukjes së Prokurorisë dhe Gjykatës nga frika, cënimit të lirisë së medias, së ekonomisë, pas shpalljes së opozitës si aleancë puniste mafioze nuk ka asnjë arsye tjetër që opozita të mos dalë në protestë dhe mos heshtë më.
Kreu i PS-së, pohoi se selia rozë nuk ka asnjë arsye që të marrë pjesë në punimet e Kuvendit, në atë që kryeparlamentarja Topalli e quajti "seancë të jashtëzakonshme". "Ne nuk kemi asnjë arsye që të bëhemi pjesë e farsave parlamentare. Ne nuk hyjmë në seanca të zakonshme që na thuhet se janë të jashtëzakonshme", theksoi si. Sipas tij, "farsa për djegien e mandateve të deputetëve të PS-së është bërë për të zhvendosur vëmendjen nga katastrofa e qeverisë". Rama pohoi se mandatet e deputeteve opozitarë nuk mund të digjen.
Numri 1 i PS-së, ka kërkuar edhe një herë që kreu i shtetit, Bamir Topi të reagojë për Gërdecin dhe Kalimashin.
Ai akuzoi edhe kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli se po tenton të kryej diversion brenda deputetëve të opozitës.
Në fjalën e tij, foli edhe për hapjen e kutive dhe betejën për këtë çështje.
"Beteja jonë për kutitë është lufta jonë si njerëz që duam ta ndryshojmë vendin. Kjo është lufta jonë që duam të presim zinxhirin e fakteqësive", u shpreh Rama.