Asambleja e KiE-s, Idrizi dhe Islami refuzojnë Topallin

Dy deputetët pritet të kërkojnë shpjegime nga Kuvendi
Emërimi nga Topalli i dy deputetëve të zgjedhur nga opozita si anëtarë të delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare, pritet që vetëm t’i kthehet në “zero”, por parlamentarët do t’i kërkojnë shpjegim të hollësishëm. Kastriot Islami, deputeti i Partisë Socialiste, ka theksuar për “Shqip” se nuk ka shkuar në Strasburg, sepse nuk mund të ndodhë një gjë e tillë pa bërë betimin si deputet, ndaj një veprim i tillë nuk është ligjor. Islami ka theksuar se ai ka qenë anëtar i delegacionit shqiptar, por në legjislaturën e shkuar, ku si anëtar i Asamblesë Parlamentare ka drejtuar edhe misionin e posaçëm të Këshillit të Europës për Gjeorgjinë. Ndërkaq, deputeti Shpëtim Idrizi, kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Unitet, nuk ka dhënë asnjë deklaratë në lidhje me shkresën e firmosur nga Topalli. Por burime pranë kancelarisë së Kuvendit bëjnë të ditur se deputeti Idrizi ka qenë mjaft i çuditur me vendosjen e tij në listë pa e pyetur dhe shumë shpejt do të zhvillojë një takim me Kryeparlamentaren Topalli për të sqaruar me hollësi situatën. Emërimi i dy deputetëve jo të mazhorancës si anëtarë të delegacionit parlamentar shqiptar në Asamblenë e Këshillit të Europës ka ardhur siç duket si rezultat i mbetjes së vendeve vakante të grupit që përfaqëson vendin tonë që është anëtar me të drejta të plota në KiE. Por përzgjedhja në këtë mënyrë nga Topalli duket se do ta vërë kreun e Kuvendit para një “furtune” të fortë që pritet të mos vijë vetëm nga opozita, por edhe nga Strasburgu zyrtar, i cili ka shumë gjasa ta vlerësojë negativisht këtë akt të Kryeparlamentares. Kjo, pasi emërimi i anëtarëve bëhet vetëm me vendimin e grupeve parlamentare përkatëse, pjesëtarë të të cilëve janë deputetët. Edhe në Strasburg anëtarët e Asamblesë Parlamentare do të jenë pjesë e grupeve politike që e përbëjnë atë, siç janë grupi i partive popullore, socialiste, liberale etj. Ky është rasti i dytë i problemeve mes Tiranës dhe Strasburgut pas çështjes “Biberaj”, që ndodhi një vit më parë. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, përjashtoi në mënyrë të njëanshme nga kreu i delegacionit shqiptar në Strasburg deputetin e Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj. Edhe pse ishte me vendim të grupit të mazhorancës, ky akt nuk u kalua lehtë nga Asambleja Parlamentare e KiE-së, e cila dërgoi dy reporterët Laasko dhe Wildshire në Tiranë për të sqaruar situatën në terren.Me anë të një shkrese të posaçme, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka vendosur që anëtarë të delegacionit shqiptar në Strasburg të jenë deputetët: Lajla Përnaska dhe Ilir Rusmajli nga PD dhe Shpëtim Idrizi nga PDU. Ndërkaq, si zëvendësues janë përcaktuar Mesila Doda e PD-së, Kastriot Islami i PS-së dhe Arenca Trashani e PD-së. Të premten në Strasburg janë nisur deputetët: Rusmali, Doda dhe Trashani, por nuk dihet a kanë marrë akreditimin apo jo. Në projektrezolutën që pritet të miratohet më datë 27, theksohet se nga mungesa e dialogut politik në vend mbetet problem mungesa e delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.
#