E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy fakultete të reja për 2010-n

Dy godinat e Juridikut dhe Shkencave Sociale kanë nisur nga rikonstruksioni, firmosen kontrata tepër kushte bashkëkohore

Viti i ri akademik, i cili do të çelet në muajin tetor të 2010-s, do të ketë infrastrukturë më të mirë për studentët.
Më shumë se çdokush tjetër, ata që do të ndjekin studimet pranë Fakultetit Juridik dhe pranë Shkencave Sociale do të shkelin në godina të reja, rikonstruksioni i të cilave ka nisur me fillimin e vitit të ri kalendarik. Kështu, sipas Rektoratit të Universitetit të Tiranës, janë mbyllur tenderët, janë firmosur të gjitha kontratat e nevojshme, e mbi të gjitha kanë nisur punimet për të ngritur nga themelet e për të ndërtuar ashtu siç duhet, auditorët dhe ambientet e duhura për studentët e Universitetit të Tiranës, Fakultetit të Shkencave Sociale dhe Juridikut.
Godinat
Për më shumë se një vit e gjysmë, studentët e këtyre dy fakulteteve kanë kryer mësim në godina të marra me “qira”. Studentët e këtyre degëve kanë bujtur te kolegët e tyre.
Fakulteti i Infermierisë, Kino Klub Studenti, sallat e njërit prej universiteteve private, akademia ushtarake “Skënderbej”, por edhe gjimnazi “Petro Nini Luarasi” janë treguar bujarë, duke lejuar që studentët e këtyre dy fakulteteve të kryejnë orët e leksioneve dhe seminareve pranë godinave të tyre, por sigurisht në oraret alternative. Pas gati dy vitesh “migracion”, studentët e dy fakulteteve do të gjejnë paqe, në tetor të këtij viti, me nisjen e periudhës së re akademike 2010-2011.
Sipas të dhënave, ambientet ku kryenin studimet dy fakultetet, Juridiku dhe ai i Shkencave Sociale, do të kthehen në një godinë të vetme të një fakulteti. Ndërkohë që ambientet e Kino Klub Studentit do të restaurohen tërësisht, për të hapur një godinë të re për një fakultet të vetëm.
Ambientet
Dy godinat e reja, ku do të zhvendosen përfundimisht studentët e dy fakulteteve, do të jenë më të mirat të ndërtuara deri tani.
Sipas Rektoratit të Universitetit të Tiranës, këto ambiente do të jenë me salla dhe auditorë bashkëkohorë, me ambiente shtesë për të gjitha shërbimet mësimore apo teknike, që do të ketë nevojë fakulteti, me hapësira të konsiderueshme për departamentet apo sallat e studimit, bibliotekë. Godinat do të jenë me ngrohje qendrore, do të ketë më shumë vende për studentët e dy fakulteteve, pasi vitin e ardhshëm akademik do të kemi një godinë më shumë, për një fakultet të Universitetit të Tiranës.
Sakaq, sipas UT-së, territori ku kanë qëndruar për vite të tëra Fakulteti Juridik dhe ai i Shkencave Sociale është në pronësi shtetërore, të drejtën e administrimit për këtë pjesë e ka Universiteti i Tiranës. Atje nuk do të ketë asnjë ndërtim për pallat apo sipërfaqe tjetër private, pasi hapësira është e tëra pronë shtetërore dhe si e tillë nuk mund të jepet për ndërtime objektesh, si pallate apo ndërtesa për funksione të tjera në shërbim të privatit. Sakaq, sipas UT-së përfundimi i rikonstruksionit të dy fakulteteve pritet të mbyllet në muajin prill.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›