Asambleja e PS Rama Dua 20 vota me shume nga cdo kuti
Sërish zhurmues për celularët. Kreu i PS: Sondazhet tona e nxjerrin PD me 60 deputetë. Berisha, nacionalist primitiv.
Kryetari i Partisë Socialiste kërkoi angazhim nga të gjithë të zgjedhurit e saj që të luftojnë të marrin 20 vota më shumë se zgjedhjet e shkuara për çdo qendër votimi. Në pjesën e mbledhjes pa mediat, Rama tha se në këtë mënyrë PS do të kompensojë mungesën e aleatëve të mëdhenj të saj në koalicionin opozitar. Duke folur për sondazhet e zhvilluara nga skuadra e PS në terren përmes pyetësorëve, Rama tha se ato tregojnë tkurrje të PD-së pas 8 vjet qeverisje.
“Këto të dhëna tregojnë që në rastin e vet më të mirë, më 23 qershor Partia Demokratike nuk do t’i kalojë 60 deputetët. Ashtu sikundër këto të dhëna tregojnë se Partia Socialiste dhe koalicioni ynë opozitar, jo i gjithë spektri opozitar, po koalicioni ynë opozitar, udhëheqin shumë bindshëm në Tiranë, në Durrës, në Fier, në Vlorë po e po, por edhe në Elbasan dhe në Korçë, në Gjirokastër e në Berat. Ashtu sikundër diferencat janë ngushtuar në Shkodër, janë ngushtuar në Kukës dhe në Lezhë, dhe janë bërë të padallueshme në Dibër”, tha Rama.
TË PAKËNAQURIT
Kreu socialist kërkoi nga anëtarët e Asamblesë Kombëtare që të lënë pas paragjykimet e së shkuarës dhe të bashkëpunojnë me këto që jep kontribut në këtë fushatë. “Është e domosdoshme që në këtë rrugë drejt fitores të mirëpritet çdokush që ka një kontribut për të dhënë në çdo organizatë partie, në çdo fshat dhe në çdo lagje, në çdo qendër votimi. Askush nuk mund të shihet me sytë e paragjykimit për të shkuarën dhe askush sot nuk mund të lejohet ta mbyllë derën e partisë sepse fitorja është pas dere dhe nga dera s’duhet të hyjë kush tjetër tanimë për të marrë fryte nga fitorja”, tha Rama.
Ai foli dhe për mbrojtjen e votës dhe kërkoi që vota duhet mbrojtur nga çdo zgjedhës. “Sot kemi një plan më të plotë sesa asnjëherë më parë për ta garantuar çdo votë. Por garancia fillon nga vetë qytetari që kërkon ta ndryshojë gjendjen e tij. Dhe ndryshimi i gjendjes fillon nga një votë. Kjo duhet shpjeguar, kjo duhet kuptuar nga të gjithë. Ashtu sikundër duhet kuptuar se një nga mjetet e manipulimit mund të sfidohet pikërisht nga vetë njerëzit që nuk duhet të lejojnë që në emrin e tyre të votohet për shkak të mungesës së tyre”, tha Rama.
(Lajmin e plote e lexoni sot ne Panorama)