Asambleja nis sot reformën e Statutit dhe programit të PS-së
Partia Socialiste do të angazhohet sërish në një reformë të thellë organizative dhe programore. Një vit pas ndryshimeve të fundit, socialistët do të amendojnë sërish dy dokumentet bazë të organizimit dhe funksionimit të jetës së tyre partiake dhe politike. Asambleja Kombëtare do të miratojë sot ngritjen e dy grupeve të punës, të cilët do të merren me hartimin e ndryshimeve të nevojshme në Statutin dhe Programin e partisë, në mënyrë që ato të jenë gati për t’u miratuar në Kongresin zgjedhor të radhës, që do të mbahet në datën 5 nëntor. Ndërkohë që gjatë mbledhjes së sotme organi më i lartë drejtues mes dy kongreseve do të miratojë dhe një sërë dokumentesh të tjera për zgjedhjet në parti, për rinovimin e të gjitha forumeve partiake lokale dhe qendrore.
Asambleja
Mbledhja e nesërme e Asamblesë pritet të nisë ndryshe nga mbledhjet e tjera. Kjo për vetë faktin se para startimit të saj kryetari Rama ka programuar një takim me gazetarët, ku dhe do të paraqesë provat që, sipas PS-së, faktojnë gjithë mekanizmin e manipulimit të zgjedhjeve të 8 Majit në kryeqytet. Më pas me nisjen zyrtare të mbledhjes së Asamblesë, kreu socialistë pritet të mbajë një fjalë të gjatë, nëpërmjet së cilës do të bëjë një analizë të situatës politike në vend dhe hapave që duhet të hedhë më tej Partia Socialiste. Bazë e këtij fjalimi mësohet se do të jenë përfundimet e turit dyjavor që Rama zhvilloi në bazë. Më pas Asambleja pritet të përfshihet në një debat për çështje jashtë rendit të ditës, ku natyrisht parashikohen debate të forta për problematikat e ngritura ditët e fundit në media nga një sërë figurash të njohura socialistësh, si Erion Braçe, Arben Malaj, Andis Harasani dhe Kastriot Islami, që nuk janë pajtuar me sjelljen e PS-së karshi situatës postzgjedhore në përgjithësi dhe Kuvendit në veçanti. Pas diskutimeve që janë parashikuar të bëhen në diskutimet jashtë rendit të ditës, Asambleja do të kalojë në miratimin e vendimit për hapjen e fushatës zgjedhore në parti.
Ndryshimet
Pjesë e vendimmarrjes të mbledhjes së sotme të Asamblesë Kombëtare do të jetë dhe rifreskimi i grupeve të përhershme të punës, të cilët do të merren me ndryshimet në Statut dhe në Programin politik të partisë. Burime pranë selisë rozë kanë sqaruar dje se bëhet fjalë për riaktivizimin e të njëjtit grup pune për ndryshimet programore, i cili siç edhe dihet drejtohet nga vetë Rama dhe ku bëjnë pjesë figura të njohura, si Majko, Meksi etj. Puna e këtij grupi duket më e qartë pasi ai do të konkludojë draftin e plotë të programit të ri të PS-së që ka nisur të hartohet që para dy vjetësh. Para se të dalë me një produkt final, grupi i punës do ta debatojë e programojë edhe në bazë dhe me grupe të ndryshme interesi. Ndërkohë që grupi i dytë i punës, ai për ndryshimet në statut, siç mësohet, do të pësojë një ndryshim në drejtim, pasi nuk do të ketë më në krye të tij kreun e Asamblesë, Gramoz Ruçi, pasi vendin e tij do e zërë vetë kreu socialist Edi Rama. Ndërsa arsyet e kësaj lëvizjeje nuk bëhen të ditura, mësohet se detyra e këtij grupi pune do të jetë që të realizojë një reformë organizative në parti, specifikimet e së cilës pritet të qartësohen rrugës. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që reforma të përfshijë dhe mënyrën e organizimit të strukturave drejtuese të partisë në qendër.
Kalendari zgjedhor në Partinë Socialiste
Korrik Analizat politike dhe zgjedhore në të gjithë vendin.
Shtator deri më 10 tetor do të zhvillohen zgjedhjet për kryetarë organizatash.
Nga 10 deri më 31 tetor do të zgjidhen kryetarët e partisë në rang bashkie dhe komune, si dhe delegatët për në kongres.
Më 5 nëntor mbahet kongresi i PSSH-së, ku do të zgjidhen anëtarët e rinj të Asamblesë Kombëtare, si dhe do të miratohen ndryshimet në Statut dhe në programin e partisë.
Rendi i ditës së mbledhjes së Asamblesë Kombëtare
1. Fjala e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. (Rama përveç vlerësimit të situatës politike dhe zgjedhjeve në parti, pritet të prezantojë para anëtarëve të Asamblesë dhe faktet që provojnë manipulimin zgjedhor në Tiranë).
2. Miratimi i dokumenteve (vendimi për hapjen e fushatës zgjedhore në parti, udhëzimi për mënyrën e realizimit të fushatës, kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për çdo post që do të rizgjidhet).
3. Miratimi i vendimit për aktivizimin e grupeve të punës së Asamblesë, që do të merren me hartimin e ndryshimeve në statut dhe program.
4. Diskutime jashtë rendit të ditës (Mund të diskutohet lidhur me qëndrimin që po mban dhe duhet të mbajë PS-ja karshi institucioneve dhe situatës politike në vend).