E Diel, 1 Nëntor 2026

Kongresi i PS-së më 5 nëntor, ja kalendari i veprimeve

Kongresi zgjedhor i radhës i Partisë Socialiste do të mbahet në 5 nëntor. Një gjë e tillë parashikohet në dokumentet që pritet të miratojë sot Asambleja Kombëtare, e cila në bazë të Statutit ka dhe të drejtën të thërrasë mbledhjen e Kongresit, si forumi më i lartë vendimmarrës. Kongresi siç edhe është vendosur do të jetë zgjedhor, pasi do të bëjë për përzgjedhjen e emrave të rinj të Asamblesë Kombëtare, e cila më pas do të vendosë për zgjedhjen e kryesisë dhe sekretariatit. Por para se të shkojnë në kongres, socialistët kanë parashikuar një fushatë të detajuar elektorale në parti, për të zgjedhur të gjitha forumet që kanë plotësuar katërvjeçarin statutor. Në dosjen që do t’i shpërndahet çdo deputeti janë përfshirë një sërë dokumentesh për këtë qëllim, duke filluar që nga vendimi i hapjes së fushatës zgjedhore, udhëzimi për mënyrën sesi do të realizohet ajo, si dhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për që do të konkurrojnë për çdo forum. Përsa i përket kritereve, burime nga PS-ja kanë bërë të ditur se përveç atyre formaleve të përgjithshme, si arsmimi, jeta partiake, integriteti moral etj., janë përfshirë edhe ato që përcakton statuti i partisë. Pra bëhet fjalë për kriterin përjashtues nga konkurrimi për çdo post të atyre emrave që gjatë ushtrimit të detyrave partiake të mëparshme kanë arritur rezultate negative. Kështu, nuk mund të kandidojnë të gjithë ata krerë organizatash që në njësinë e tyre territoriale kanë arritur rezultate zgjedhore më të dobëta sesa ato pararendëset. E njëjta gjë vlen edhe krerët e degëve të partisë në rang komune dhe bashkie. Ndërkohë që për këto zgjedhje PS-ja ka parashikuar dhe një kalendar veprimesh, që nis me muajin korrik ku do të zhvillohen analizat politike dhe zgjedhore në të gjithë vendin. Nga 1 shtatori deri në 10 tetor është parashikuar të zhvillohen zgjedhjet për kryetar organizatash, dhe nga 10 deri në 31 tetori do të zgjidhen kryetarët e partisë në rang bashkie dhe komune, si dhe delegatët për në kongres. Ndërkohë që më 5 nëntor do të mbahet kongresi i PSSH-së, ku do të zgjidhen anëtarët e rinj të Asamblesë Kombëtare, si dhe do të miratohen ndryshimet në statut dhe në programin e partisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›