E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asgjë e re nga Beogradi, kërkon “kompromis” nga Prishtina

Në takimin e sotëm të pasdites të kreut të Serbisë, është arritur ujdia që delegacioni i Serbisë në dialog me Prishtinën të mbajë qëndrimin e përcaktimit të fuqishëm për arritjen e kompromisit, pavarësisht “që Prishtina nuk ka treguar deri tashti gatishmëri për të biseduar në mënyrë konstruktive lidhur me modalitetet për gjetjen e zgjidhjes”. Për të bërë presion ndaj institucioneve të BE-së, përkatësisht ndërmjetëses në dialog baroneshës Ashton, këshilltari i presidentit të Serbisë, Marko Gjuriq deklaroi pas takimit që Serbia pret nga BE-ja të mbetet ndërmjetëse e pa anshme dhe të nxitë konstruktivitetin e Prishtinës, që, sipas fjalëve të tij ka treguar shumë më pak vendosmëri për të gjetur një zgjidhje që do të kënaqte të dy anët.

“Kemi konstatuar se qëndrimi i Prishtinës nuk ka lëvizur as për një milimetër nga fillimi i negociatave. Kemi konkluduar se ata (Prishtina) nuk ka qenë sa duhet konstruktive në pjesën e parë të dialogut dhe tashti e dërgojmë porosinë e qartë që të jenë shumë më konstruktivë në vazhdim të dialogut”, tha Gjuriq për mediet serbe.

Sipas tij, që nesër, kur zhvillohet rundi i pestë i dialogut në Bruksel, do të jetë më e qartë se në ç’masë Prishtina është më e gatshme sesa më parë që të shkojë në drejtim të kompromisit.

Duke shpjeguar faktin që kreu shtetëror serb sonte është takuar për herë të dytë brenda tri ditëve të fundit, Gjuriq tha se periudha ndërmjet dy takimeve është shfrytëzuar për analizë plotësuese të informatave nga të gjitha kryeqendrat evropiane dhe për përpunimin e elementeve konkrete të paraqitjes së delegacionit serb në Bruksel, ku pos kryeministrit Daçiq do të jetë edhe ai vetë, si dhe Aleksandar Vullin, nga Zyra qeveritare për Kosovën./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›