Asgjësohen 1050 bimë kanabis në Klos, dy zyrtarë nën hetim

TIRANË, 8 qershor/ATSH/ Policia e Shtetit njoftoi sot se pas kontrolleve intensive nga toka dhe ajri, në kuadër të megaoperacionit “Territor i Pastër”, u gjetën dhe u asgjësuan 1050 bimë dhe fidanë kanabis sativa në zonën e Fanit, Klos.
Policia njofton se u arrestua autori i dyshuar, i cili u kap në flagrancë duke u kujdesur për bimët narkotike. Ndërkohë, Policia ka proceduar penalisht kryeplakun e fshatit Klos dhe specialistin e pyjeve për zonën Fan, për shpërdorim detyre.
“Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi: A. F., 28 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Klos, Njësia Administrative Fan, Bashkia Mirdita, i dyshuar për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Ky shtetas dyshohet se në hapësirën e pyllit mbi banesën e tij, kishte kultivuar në 3 parcela të ndryshme, 1050 bimë dhe fidanë kanabis. Gjatë operacionit, ky shtetas u kap në njërën nga parcelat duke u kujdesur për bimët narkotike.
Në vijim të operacionit, u proceduan penalisht për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” shtetasit: Sh. M., me detyrë specialist pyjesh në zonën Fan dhe K. M., me detyrë kryeplak i fshatit Klos. Këta shtetas dyshohen se nuk kanë kryer detyrat e tyre funksionale, në zonën që mbulonin. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”, njofton Policia e Shtetit, e cila ka ndarë dhe pamje nga zhvillimi i operacionit.
/a.f/r.e/