SHBA – Blinken në LM për arritjen e paqes në Gazë

UASHINGTON, 8 qershor /ATSH-DPA/- Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të udhëtojë në Lindjen e Mesme javën e ardhshme, në përpjekjen e tij të fundit për t’i dhënë fund luftës së vazhdueshme në Gazë.
“Blinken do të vizitojë Egjiptin, Izraelin, Jordaninë dhe Katarin nga e hëna deri të mërkurën”, tha të premten Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH).
“Sekretari do të diskutojë me partnerët nevojën për të arritur një marrëveshje armëpushimi që siguron lirimin e të gjithë pengjeve”, tha zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller.
Udhëtimi i planifikuar vjen pasi presidenti amerikan Joe Biden paraqiti një plan të ri trefazor për t’i dhënë fund luftës disamujore në Gazë midis Izraelit dhe grupit ekstremist palestinez Hamas.
As Izraeli dhe as Hamasi deri më tani nuk kanë rënë dakord me propozimin e fundit, i cili parashikon një armëpushim të plotë dhe të pakufizuar që zgjat gjashtë javë. Kjo do të çonte në një armëpushim të përhershëm në një fazë të dytë.
Katari, SHBA-ja dhe Egjipti kanë ndërmjetësuar mes Izraelit dhe Hamasit prej disa muajsh për të arritur një armëpushim dhe një shkëmbim pengjesh të mbajtura nga grupi militant për të burgosurit palestinezë.
Pas udhëtimit në Lindjen e Mesme, Blinken ka planifikuar të shoqërojë Biden në samitin e liderëve të G7 në Itali nga 13-14 qershor. //a.i/