E Martë, 3 Nëntor 2026

Asgjësohen 1233 bimë kanabisi në Shkodër

TIRANË, 31 maj /ATSH/ Në Qarkun Shkodër, vijon operacioni policor i koduar “Koordinata”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike.

Në një njoftim për mediet, policia bën tè ditur se, si rezultat i kontrolleve intensive në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi të saj, kanë gjetur të kultivuara dhe kanë asgjësuar gjithsej 1233 fidanë e bimë të dyshuara kanabis ( 777 fidanë dhe 456 bimë të dyshuara narkotike kanabis)

Policia ka proceduar penalisht për moskallëzim krimi dhe shpërdorim të detyrave, 1 Specialist Pyjesh dhe 1 Roje Mjedisore. Sipas policisë, Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër në vijim të operacionit policor të koduar “Koordinata”, gjatë kontrolleve të territorit, bazuar dhe në inteligjencën policore, gjetën dhe asgjësuan në territorin e njësive administrative Shalë, Pult dhe Postribë 777 fidanë dhe 382 bimë narkotike kanabis. Në vijim të veprimeve për këto dy raste nisi procedimi në gjendje të lirë, për shpërdorim të detyrës dhe moskallëzim krimi, për Inspektorin e Pyjeve, shtetasin A. M dhe Rojen Mjedisore shtetasin L. A. Ndërkohë shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe gjatë kontrolleve gjetën dhe asgjësuan në territorin e njësisë administrative Shkrel, 74 bimë kanabis.

“Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të kultivimit të këtyre bimëve narkotike. Operacioni antikanabis i koduar “Koordinata”, vijon”, bën të ditur policia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›