E Martë, 3 Nëntor 2026

Ekstradohet në Shqipëri i kërkuari për trafikim kanabisi në Ulëz në 2022

TIRANË, 31 maj /ATSH/ Policia e Shtetit, bën të ditur se, vijon bashkëpunimin me partnerët për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Sipas policisë, në Greqi është arrestuar dhe është ekstraduar në Shqipëri një shtetas i akuzuar si bashkëautor në kultivimin, në vitin 2022, të bimëve narkotike në Ulëz, Dibër. Ndërkohë, në Itali është kapur dhe është ekstraduar një shtetas i dënuar për dhunë në familje.

“Si rezultat i koordinimit të punës informative dhe operacionale me homologët grekë, nëpërmjet strukturave të Interpolit në Tiranë dhe në Athinë, në kuadër të operacionit “The Wanted”, u kap nga policia greke shtetasi shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, N. K., alias N. T., 34 vjeç. Në vitin 2022, Gjykata e Matit i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi dyshohet se është njëri nga autorët e kultivimit të bimëve narkotike, në një parcelë në Njësinë Administrative Ulëz, të cilat janë gjetur dhe asgjësuar nga Policia”, thuhet në njoftimin e policisë.

Po ashtu, bën të ditur policia, si rezultat i bashkëpunimit me partnerët, në kuadër të operacionit “The Wanted”, në Milano, Itali, u kap shtetasi O. J., alias O. Ç., 44 vjeç, dhe u finalizua procedura për ekstradimin e tij në Shqipëri. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, e ka dënuar me 6 muaj burg për veprën penale “Dhunë në familje”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›