E Diel, 1 Nëntor 2026

Ashpërsohen Presidencialet në SHBA, Romney apel për ndryshim konkret

Fushata presideciale në SHBA vazhdon e ashpër. Kandidati republiman Mitt Romney bëri thirrje për një ndryshim real përballë status quo-së së Barack Obamas në ekonomi.
 

Gjatë fjalimit të mbajtur në shtetin e Ajoues, të konsideruar një fushëbetejë e zgjedhjeve të nëntorit, Romney kritikoi ashpër rivalin demokrat, duke thënë se në të tre debatet Presidenti nuk bëri asnjë propozim me vlerë për të përballuar sfidat e kohës.
 

"Votimi nënkupton një zgjedhje që duhet bërë, një zgjedhje mes status quo-së, mes vazhdimit me të njëjtat politika që kemi parë prej 4 vjetësh dhe ndryshimit të vërtetë, ndryshim që ofron premtim, premtim se e ardhmja do të jetë më e mirë se e shkuara", tha Romney.
 

Ndërkohë sipas sondazheve Presidenti gëzon mbështetje të theksuar kundrejt sfidantit Romney te personave që zgjedhin të votojnë më herët në 11 shtetet amerikane që mundësojnë këtë procedurë.

Por ata që votojnë herët janë vetëm 18 për qind e personave që kanë të drejtën e votes, e për rrjedhojë maratona raskapitëse nga një shtet në një tjetrin do të vazhdojë deri në prag të 6 nëntorit.
 

Barack Obama synon të tërheqë votuesit potencialë, të cilët zgjedhin të abstenojnë, veçanërisht të rinjtë, të konsideruar shpesh dhe si një terren i favorshëm i demokratëve. Për këtë, Presidenti nuk ka nguruar të japë një intervistë ekskluzive për kanalin muzikor "MTV", ku kundërshtoi rivalin për politikat e tij të ambientit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›