Ashton e Clinton në Beograd më 30 tetor, takime me Nikoliç e Daçiç

Shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, dhe sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, do të qëndrojnë në Serbi më 30 tetor, citojnë mediat serbe njoftimin e Qeverisë në Beograd.
Sipas një njoftimi të mëhershëm nga Brukseli, zyrtaret e BE-së dhe të SHBA-së do të takojnë presidentin serb, Tomisllav Nikolliç, dhe kryeministrin Ivica Daçiç.
Ditë më parë, Departamenti amerikan i Shtetit ka kumtuar se Clinton dhe Ashton do të vizitojnë Serbinë e Kosovën për të inkurajuar normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Në Prishtinë dy zyrtaret pritet të qëndrojnë më 31 tetor. Ato do të vizitojnë edhe vende të tjera të rajonit.