Ashton: Dialog mes palëve
Ministrat e Jashtëm të vendeve të Bashkimit Europian, ndër shumë çështje të tjera, kanë diskutuar sot edhe për gjendjen në Shqipëri. Shefja e Politikes së Jashtme dhe Sigurisë në Bashkimin Europian, Catherine Ashton, më herët gjatë ditës së sotme i ka bërë thirrje klasës politike shqiptare që të negociojë për cështjet kryesore. Deklaratën e saj Ashton e ka bërë gjatë njërit prej diskutimeve, e më konkretisht mbi situatën në Shqipëri, takim i zhvilluar në Bruksel.
“Kam biseduar me liderin e opozitës dhe kryeministrin Berisha, ne vazhdojmë të monitorojmë situatën në Shqipëri. Liderët politikë të dialogojnë për cështjet që i shqetësojnë”, ka deklaruar Ashton.
Ndërsa disa ministra të Jashtëm kanë kërkuar ndërhyrje më aktive për zgjidhjen e situatës në vendin tonë, që kulmoi me ngjarjet e 21 janarit. Ministrat e jashtëm të BE-së, janë takuar sot për herë të parë që prej fillimit të trazirave në shumë shtete arabe, ku në rend të ditës të punimeve të Këshillit të Ministrave, drejtuar nga e ngarkuara e BE-së me politikën e Jashtme Catherine Ashton, ishte edhe diskutimi për Shqipërinë. Ka qene i dërguari i Baroneshes Ashton, Miroslav Lajcak, i cili ka raportuar lidhur me vizitën e tij javën e kaluar në Tiranë, ku në takime me liderët e vendit përcolli mesazhin e Brukselit për dialog dhe shmangie të dhunës.