E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ashton: Politikanët shqiptarë të shmangin retorikën e ashpër

17-04-2013 / Gazeta 55

Presidenti Bujar Nishani takon Zëvendëspresidenten e KE-së, Catherine Ashton

Zëvendëspresidentja e KE-së dhe Përfaqësuese e Lartë për Politikën e Jashtme në BE, Baronesha Catherine Ashton gjatë takimit të martën me Presidentin Bujar Nishani kërkoi që procesi i ardhshëm zgjedhor të jetë i besueshëm, veçanërisht për votuesit.
Zyrtarja e BE-së, vizitën e saj të parë në Tiranë e nisi me takimin me Presidentin Bujar Nishani, i cili falënderoi BE-në dhe personalisht Baroneshën Ashton për mbështetjen dhe inkurajimin e vendeve të rajonit dhe veçanërisht të Shqipërisë në proceset demokratike dhe të integrimit.
Kreu i Shtetit garantoi se Shqipëria ka kapacitete institucionale dhe infrastrukturën e nevojshme për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme në përputhje me standardet europiane. Sfida e vetme për t’u kapërcyer mbetet sjellja e partive politike gjatë procesit zgjedhor dhe pas zgjedhjeve, tha ai.
Një vëmendje e veçantë gjatë bisedës iu kushtua situatës në rajon, ku bashkëbiseduesit vunë në dukje se bashkëpunimi dhe e ardhmja europiane janë e vetmja alternativë për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Presidenti vlerësoi kontributin e Baroneshës Ashton për paqen dhe stabilitetin në rajon, dhe veçanërisht nëpërmjet ndërmjetësimit të bisedimeve Kosovë-Serbi dhe e garantoi se politika e Shqipërisë në mbështetje të paqes dhe sigurisë në rajon mbetet e pandryshuar.
Zëvendëspresidentja e KE-së, Catherine Ashton theksoi se ndjehet e inkurajuar nga vendosmëria e Shqipërisë në realizimin e reformave dhe nënvizoi se ndonëse rrugëtimi europian është i vështirë, eksperienca e vendeve paraardhëse ka treguar se ai ia vlen.
Duke shprehur interesimin e saj për procesin zgjedhor në Shqipëri, Ashton kërkoi që të kryhet një proces zgjedhor i besueshëm, veçanërisht për votuesit.
Kryediplomatja e BE-së u shpreh se pret që politikanët shqiptarë të tregohen të përgjegjshëm për të paraqitur alternativa dhe prioritete zgjedhore dhe të respektojnë etikën duke shmangur retorikën e ashpër.
Të dy bashkëbiseduesit ishin në një mendje se, Presidenti i Republikës mund të luajë një rol moderues dhe të përcjellë mesazhe të nevojshme gjatë dhe pas procesit elektoral në përputhje me statusin e tij institucional.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›