Ashton: Situata shqetësuese, duam të shohim dialog

Situata paszgjedhore në Shqipëri është shqetësuese dhe për këtë arsye, palët politike duhet të ulen sa më parë në tryezën e dialogut për të gjetur një zgjidhje të saj. Ky është mesazhi që ka ardhur nga përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri në Bashkimin Europian, Catherine Ashton. Pas takimit të Ministrave të Jashtëm, Ashton duke iu referuar procesit zgjedhor por edhe situatës politike në vendin tonë tha se situata është shqetësuese dhe për këtë arsye, të dyja partitë duhet të kenë bashkëpunim, sikurse nevojitet një dialog.
Procesi elektoral duhet të përfundojë sa më shpejtë, pasi siç e dimë, qeveria shqiptare duhet të bashkëpunojë me opozitën dhe të vazhdojë përpara- tha Ashton.
Gjatë konferencës për mediat, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian është ndalur edhe tek situata në Kosovë dhe në dialogun Prishtinë-Beograd, çështje për të cilën tha se kjo situatë mbetet në dorë të dy palëve.
Për këtë arsye shtoi Ashton, gjatë këtyre bisedimeve me kryeministrin Hashim Thaci dhe Presidentin Tadic, të dy palët i ka inkurajuar për bisedimet.