E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ashton arrin sot në Prishtinë

Të gjitha të arriturat në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, pritet të sqarohen nga vetë kryediplomatja evropiane Ketrin Ashton gjatë vizitës në Kosovë. Zyrtarë të qeverisë vlerësojnë se ky është rast i mirë, që qëndrimi i palës kosovare në dialog me Serbinë, të rikonfiormohet edhe përmes baroneshës Ashton gjatë vizitës në Prishtinë. Ndërkohë zyra për informim e zonjës Ashton në Bruksel konfirmoi për Radio Kosovën, se ajo arrin sonte në Prishtinë.

Me ftesë të kreut të Qeverisë, Hashim Thaçi, në Kosovë vjen për vizitë përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri e BE-së Catherine Ashton. Zyrtarë të qeverisë, e shohin vizitën si mundësi e informimit të drejtëpërdrejtë për bisedat që delegacioni kosovar po zhvillon në Bruksel.

Bekim Çollaku, këshilltarë i lartë politik i kryeministrit Thaçi, tha për Radio Kosovën se ardhja e kryediplomatës evropiane, në Prishtinë pritet të konfirmojë qëndrimin e Kosovës në përputhje me Kushtetutën.

“Qëllimi i vetëm i baroneshës është që të vij në Kosovë të takojë liderët politik, institucionalë dhe jo institucionalë me qëllim që liderët politik të dëgjojnë nga vetë baronesha Ashton që zgjidhjet që ne i diskutojmë në Bruksel janë plotësisht në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet tona, dhe se BE-ja nuk ka ndërmend të imponojë asnjë lloj zgjidhje që bie ndesh me Kushtetutën e republikës së Kosovë, tha Çollaku.

Çollaku theksoi se që nga fillimi i këtij procesi, qëllimi primar i delegacionit të Kosovës ka qenë arritja e një marrëveshjeje në formë të shkruar, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura.

“Mirëpo gjëja më e rëndësishme që ndërlidhet me marrëveshjen… që mund të rezultojë si përfundim I këtij procesi është aneksi që ka të bëjë me implementimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani. Dhe ju e dini se sa është e rëndësishme implementimi në praktikë i marrëveshjeve të arritura.

Fakti që mund të ketë një marrëveshje të shkruara në fund të këtij procesi është e mirëseardhur, sepse vetë qëllimi i këtij procesi ka qenë të rezultojë me një marrëveshje të shkruar që i jep fund armiqësisë që ka ekzistuar për dekada të tëra ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe që e hap një kapitull të ri për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve të pavarura”, theksoi ai./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›