Ashton përshëndet vendimin e KQZ-së

Shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton i ka përshëndetur zhvillimet e kësaj jave në lidhje me zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.
“Përfaqësuesja e Lartë, Catherine Ashton, e mirëpret progresin që është bërë këtë javë në Prishtinë dhe Beograd sa i përket përgatitjeve për zgjedhjet e 3 nëntorit, në veçanti vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor dhe regjistrimin e partive dhe entiteteve të tërë Kosovës me lehtësimin e OSBE-së sipas marrëveshjes së prillit. Këto janë hapa para për të siguruar zgjedhje të lira me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve në Kosovë”, thuhet në një deklaratë të publikuar nga zyra për informim e baroneshës Ashton, transmeton REL.
Në deklaratë më tej thuhet se zgjedhjet lokale të 3 nëntorit paraqesin një moment historik për të ardhmen e Kosovës dhe për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Beogradit dhe Prishtinës.
“Përfaqësuesja e Lartë apelon te të gjitha partitë që ta vazhdojnë punën e madhe në përgatitjen e procesit zgjedhor dhe të vazhdojnë të tregojnë pjekuri dhe vullnet të mirë në trajtimin e shumë çështjeve që padyshim se do të ngritën ndërmjet kësaj kohe dhe zgjedhjeve”, thuhet në deklaratë./Indeksonline/