Japonia e gatshme të ndihmojë FSK-në

Komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Kadri Kastrati priti sot në takim pune Drejtorin e Departamentit për Studime të Sigurisë nga Ministria e Mbrojtjes së Japonisë, Tomonori Yoshizaki dhe Atasheun e Mbrojtjes së Ambasadës Japoneze në Vjenë, Austrisë, kolonel Tsutomu Sone.
Mysafirët nga Japonia duke shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, bënë shumë pyetje për FSK-në dhe perspektivën e saj zhvillimore.
Komandant Kastrati, i njoftoi mysafirët me arritjet e FSK-së, misionin, objektivat dhe zhvillimet më të rëndësishme në FSK-së, si arritjen dhe deklarimin e Kapaciteteve të Plota Operacionale.
Një theks të posaçëm u vu në bashkëpunimin ndërkombëtar përmes nënshkrimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit me ministritë e mbrojtjes të shumë vendeve mike dhe anëtare të NATO-s. Për pjesëmarrjen në nismat regjionale të sigurisë, pjesëmarrja në trajnimet dhe ushtrimet e përbashkëta me ushtritë e disa vendeve të rajonit.
Me theks të posaçëm u shpjegua procesi i Rishikimit të Sektorit Strategjik të Sigurisë së Kosovës dhe rekomandimet që pritet të dalin nga ky proces për misionin e FSK-së dhe për strukturat e sigurisë së Kosovës në përgjithësi.
Me këtë rast, Komandant Kastrati edhe një herë falënderoi shtetin e Japonisë për ndihmën e ofruar për FSK-në dhe Kosovën në përgjithësi. Po ashtu, u diskutuan edhe mundësitë e zgjerimit dhe intensifikimit të bashkëpunimit me ushtrinë e Japoni.