Ashton pret sonte marrëveshje për planin e zbatimit

Takimi i paralajmëruar mes Thaçit dhe Daçiqit ku do të diskutohet për planin e zbatimit të marrëveshjes pritet të fillojë sot rreth orës 16:00.
Baronesha Ashton, fillimisht pritet që të zhvillojë takimet ndaras me delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit, për të filluar më pas takimi i përbashkët.
Sipas të gjitha gjasave, ky raund nuk do të zgjatet edhe në ditët e ardhshme pasi që Ashton të mërkurën në mëngjes duhet të paraqesë një raport të detajuar për Sirinë në Këshillin Evropian.
Pak orë para nisjes së takimit zëdhënësja e baroneshës Ashton, Maja Kocijançiq ka shprehur optimizmin e saj dhe të baroneshës Ashton se palët do të bien dakord për planin e zbatimit të marrëveshjes.
“Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Catherine Ashton pret sot nga kryeministri Ivica Daçiq dhe kryeministri Hashim Thaçi që të bijnë dakord mbi hapat konkretë për zbatimin e marrëveshjes. Implementimi është absolutisht vendimtar”, tha Kocijançiq në prag të raundit të sotëm të dialogut.
Ajo shtoi se pasi Daçiq e Thaçi kanë nënshkruar marrëveshjen në prill, tani është e nevojshme për t’u miratuar plani i veprimit i cili do të përfshijë masa specifike për implementimin e saj.
“Ashton do të bëjë gjithçka që është e mundur për tu arritur kjo”, ka thënë Kocijançiq./Indeksonline/