E Diel, 1 Nëntor 2026

Askund nuk kam pare ta duan trajnerin si te Shqiperia

Xhemal Mustedanagiç flet për lidhjen e Josip Kuzhesë me kuqezinjtë

Xhemal Mustedanagiç është një zbulues i mirëfilltë talentesh. Aktualisht punon si krahu i djathtë i trajnerit Josip Kuzhe në përfaqësuesen shqiptare, ndërsa ai është njeriu kyç që e ndihmon të rinovojë ekipin kuqezi. Por, pas 19 muajsh punë në vendin tonë, numri 2 i stolit ka veçuar një detaj mjaft interesant: “Nuk kam parë në asnjë vend tjetër që lojtarët të jenë kaq të lidhur me trajnerin e tyre sa në Tiranë”. Prej momentit kur u emërua në krye të Shqipërisë (më 19 maj 2009), Josip Kuzhe e vuri theksin te fakti se misioni i tij i parë ishte krijimi i një atmosfere të mirë brenda skuadrës. Vetëm pas kësaj do të synohej hedhja e hapave të tjerë. Ky objektiv u realizua brenda një kohe mjaft të shkurtër dhe fryma e grupit ka bërë që Kombëtarja të mos e ndiejë shumë diferencën në cilësi në krahasim me vitet e tjera, por të ketë një ecuri mjaft të kënaqshme. Mbështetja që kroati 58-vjeçar ka nga të gjithë lojtarët kuqezinj, mbi të gjitha nga “senatorët”, është vënë re gjatë sëmundjes së tij. Në momentin kur Kuzhe u godit nga hemorragjia cerebrale në fund të muajit shtator dhe e ardhmja si trajner ishte në dyshim, futbollistët kryesorë i kanë kërkuar drejtuesve të federatës që t’i linin kohë të rehabilitohej për të vazhduar rrugën e nisur së bashku. Lidhja me teknikun është parë fare qartë edhe në prag të ndeshjeve kualifikuese të Euro 2012 (me Bosnje-Hercegovinën dhe Bjellorusinë), kur skuadra premtonte se do të luante për rezultate për Kuzhenë.
55-vjeçari ka folur edhe për aventurën te Shqipëria, duke e vlerësuar si mjaft pozitive këtë eksperiencë. “Mund të them se detyra ime si zv/trajner në përfaqësuesen shqiptare është mjaft e kënaqshme. Trajneri Kuzhe po bën një punë shumë të mirë dhe të gjithë janë të kënaqur”. Mustedanagiç ka një të kaluar të suksesshme si futbollist, ku luante si mbrojtës. Pas Sloboda Bosanski Novi, ku nisi karrierën, dhe disa skuadrave elitare jugosllave, në vitin 1973 ai u transferua te Dinamo e Zagrebit, ku për dhjet radhazi regjistroi 444 ndeshje dhe fitoi titullin e famshëm të vitit 1982 në Jugosllavi dhe Kupën më 1980. Karrierën e mbylli te Austria e Vjenës, ku gjatë tre sezoneve (1983-1986) fitoi tre tituj kampion, ndërsa shkëlqeu në çerekfinalet e Kupës së Kupave, ku austriakët u përballen me Barcelonën, ndërsa “Xhemo” shkëlqeu gjatë mbulimit të Diego Armando Maradonës. Në fund, Mustedanagiç analizoi edhe futbollin kroat: “Luka Modriç është Lionel Mesi ynë. Ivica Oliç vjen menjëherë pas tij, një element thelbësor i Bajernit gjatë sezonit të kaluar është shumë i rëndësishëm. Talentet? Mund të them se më i miri absolutisht është Mateo Kovaçiç (16-vjeçar i Dinamos së Zagrebit, që këtë vit ka debutuar edhe në ekipin e parë). Ai mund të bëhet edhe më i mirë se Modriç”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›